Rama: Gati për dialog me Partinë Demokratike rrugore
Kryeministri Edi Rama shigjetoi ashpër rrugën e opozitës, pasi kritikoi votimin në parlamentin holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë si dhe “festën” e mbajtur në Tiranë.
Ai deklaroi nga foltorja e Parlamentit se ka ardhur një ofertë tjetër e cila për një moment mund ti ketë ndezur pak gjakrat se me këtë lloj xhiroje do rrëzohet qeveria, do bjerë parlamenti, do bëhen zgjedhje të parakohshme.
“Dhe tani na qenkan edhe shumicë dhe ajo shumicë që rezulton të jetë 170 mijë vetë në bulevard sipas tyre, do çliroka Shqipërinë dhe do merrka pushtetin. Duhet të jesh totalisht i gatshëm ta lësh mendjen pushim dhe të shkosh i verbër pas dikujt që të pranosh çmenduri të tilla. Me jemi në këtë hall që duhet të përballemi me sojin më të degraduar politik. PD ka një histori të gjate eksesesh dhe marrëdhëniesh problematike me institucionet, por kjo refuzimi me firmë i mandatit për të përfaqësuar atë që të ka besuar ty të shkosh në parlament është diçka e re edhe për vetë PD dhe që nuk e pranon dhe nuk ka për ta pranuar askush”, u shpreh Rama.
Ai tha se nuk ka shans që të gjendet në këtë rruzull një demokrat i vetëm në Europë, Azi apo Australi, që të pranosh se kjo është diçka për të cilën ja vlen të bisedojnë.
Sipas tij, jelekët e verdhë dalin nga shtëpia në rrugë për të vjedhur, por siç tha Rama, që parlamentarët të dalin në rrugë të veshin jelekun e verdhë kjo është diçka e re. Ai e cilësoi si një shprehje totale dëshpërimi të një partie pa kokë, pa sy dhe veshë.
Rama deklaroi se sfidat e shumicës nuk janë të fitojmë zgjedhjet, duke shprehur bindjen se i kanë fituar dhe do i fitojnë për sa kohë që nuk do ketë një alternativë që ti vendosë në pozitiv të vështirë.
Ai tha se sfidat janë të mëdha dhe se duhet të mbrohen pozicionet që Shqipëria ka fituar në botë, në ekonomi, në raportin e rritjes së punësimit.
“Fatkeqësisht ata synojnë me çdo kusht të pengojnë çeljen e negociatave dhe përpiqen të thonë dhe të bindnin shqiptarët se negociatat varen nga qeveria dhe Kryeministri, ndërkohë që ajo që varet nga qeveria dhe Kryeministri është çfarë do të thotë Komisioni Europian, i cili bazohet në kritere teknike dhe objektive, për prioritetet kyçe. Qeveria dhe Kryeministri nuk ka shumë në dorë për të ndryshuar mendjet e atyre që votuan për të hequr vizat me Shqipërinë”, deklaroi kreu i qeverisë.
“Jemi gati të pranojmë komunikojmë edhe me ata që janë të dhënë pas kapsollave. Jemi gati në komisionin e reformës zgjedhore, kanë vendin e tyre si vëzhgues me status special. Nuk kemi çfarë bëjmë. Kemi një PD parlamentare dhe një Parti Demokratike rrugore. S’kemi ca bëjmë. Jemi gati të dialogojmë në pit-stop”, tha Kryeministri.