AktualitetBota+Të fundit

Imamoglu shpallet kryebashkiak i Stambollit

Kandidati i opozitës kryesore të Turqisë, Ekrem Imamoglu, u shpall të mërkurën kryebashkiak i Stambollit, pas përfundimit të rinumërimit të votave, megjithë kërkesën ende pa përgjigje të Partisë AK të Presidentit Tayyip Erdogan për një rivotim në qytetin më të madh të vendit.

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve vendore të 31 marsit flet për një fitore të ngushtë për opozitën laike Partinë Republikane Popullore (CHP), duke i dhënë fund 25 viteve kontroll nga Partia AK (AKP) dhe paraardhësit e saj islamikë.

Humbja është veçanërisht e vështirë për zotin Erdogan, i cili e nisi karrierën politike në Stamboll si kryebashkiak në vitet 1990 dhe triumfoi në më shumë se 10 cikle zgjedhore që kur AKP erdhi në pushtet në vitin 2002.

Lira turke, e cila kishte pësuar rënie nga zgjedhjet, u stabilizua të mërkurën.

Duke marrë zyrtarisht detyrën pas një fushate me retorikë të ashpër dhe më shumë se dy javë sfidash ligjore, Ekrem Imamoglu premtoi se do të punojë për të gjithë banorët e qytetit, që numërohen 16 milionë.

Sfidat e përsëritura nga AKP krijuan nervozizëm midis mbështetësve të opozitës që u derdhën në fushat e stadiumeve në fundjavë, ndërsa kërkonin që mandati i kreut të bashkisë t’i jepej kandidatit të tyre.

 

Fraksion.com