Basha nxjerr 3 kushte për zgjedhjet pas mbledhjes të Kryesisë
Partia Demokratike tregon se kriza politike në vend nuk garanton dot zhvillimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sipas saj, tashmë është faktuar se qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e zgjedhjeve në Shqipëri.
– Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.
-Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
-Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur sot në një takim në selinë e PD-së, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman. Basha zhvilloi takimin me diplomatin britanik përpara nisjes së mbledhjes së Kryesisë së saj, ku ishin gjithashtu të pranishëm edhe ish-deputetë të selisë blu. Krahas PD-së edhe LSI-ja ka mbledhur Kryesinë e saj.
Fraksion.com