AktualitetPolitikëTë fundit

Vizat,Soreca: Pavarësisht vendimit të Holandës, shqiptarët mund të lëvizin të lirë

Parlamenti i Holandës votoi pro rikthimit të vizave për shqiptarët. Pritet të shihet se cilat do të jenë reagimet e autoriteteve evropiane.

Sipas kreut të misionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca: Shqipëria i ka plotësuar kriteret sipas KE-së për lëvizjen e lirë në zonën Schengen. “Asgjë nuk ka ndryshuar deri në këtë moment, vijon udhëtimi pa viza në zonën Shengen”.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca reagoi (17.04) pas vendimit të parlamentit në Hoalndë për rikthimin e vizave me Shqipërinë duke theksuar, se: “pavarësisht këtij vendimi asgjë s’ka ndryshuar dhe shqiptarët mund të lëvizin të lirë”. Sipas Sorecas Shqipëria i ka plotësuarkriteret sipas Komissionit Europian për lëzivjene lirë në zonën Shengen.

Ambasada e Holandës në Tiranë, përmes një deklarate zyrtare, bëri me dije të martën (16.04.) që “qeverisë holandeze i është kërkuar nga Parlamenti i saj të pezullojë mekanizmin e regjimit pa viza për shqiptarët. Për momentin qeveria është duke shqyrtuar hapat që duhet të ndërmarrë. Për momentin politika e vizave për  udhëtimin drejt Holandës për nënshtetasit shqiptarë nuk ka ndryshuar”. Deklarata e qeverisë së Holandës, përmes ambasadës së saj në Tiranë, erdhi pas botimit në mediat e Tiranës të lajmit për votimin në Parlamentin holandez të martën, pro rikthimit të lëvizjes me viza drejt Holandës, për nënshtetasit e Shqipërisë, si pasojë e „rritjes së kriminalitetit nga shqiptarët që mbrrijnë në Holandë”. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka sqaruar, përmes një deklarate, të martën në mbrëmje, se “votimi në Parlamentin holandez për t’i kërkuar BE fillimin e procedurave për pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave, nuk ndryshon rregullat e lëvizjes drej vendeve Shengen. Shtetasit shqiptarë do të vazhdojnë të lëvizin të lirë drejt vendeve Shengen sipas praktikës së derisotme dhe duke plotësuar kushtet aktualisht në fuqi”.

Qeveria e Tiranës : Shifra dhe fakte 

Në deklaratën e MEPJ bëhet me dije se “një shtet anëtar i BE, mund t’i kërkojë Komisionit Europian (KE) hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza, vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE. Asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë. MEPJ është besimplotë se rezoluta e Parlamentit holandez nuk mund të gjejë mbështetje në KE, pasi asnjë nga kriteret, që do të ҫonin në aplikimin e pëzullimit të përkohshëm, nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë.”

Deklarata e MEPJ i referohet shifrave dhe fakteve kur vë në dukje se „migracioni i paligjshën i shtetasve shqiptarë drejt Holandës ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që pëzullimi aplikohet në rast rritjeje mbi 50%. Shifrat e krimit shënojnë rënie përmbajtësore”. Sipas MEPJ në miratimin e rezolutës në fjalë ka ndikuar klima elektorale e zgjedhjeve europiane që e „fut Shqipërinë në agjendën e partive në garë”, thekson deklarata. MEPJ shprehet se „nuk ka asnjë dyshim që përtej horizontit të zgjedhjeve europiane, faktet do të mbizotërojnë mbi klishetë elektorale”.

Presidenti Meta – Akt i paprecedent

Presidenti Ilir Meta e konsideroi të martën në mbrëmje rezolutën e Parlamentit holandez, „një akt të paprecedentë, një këmbanë alarmi për të reflektuar të gjithë dhe dhënë mesazhe me efektive në luftën kundër krimit të organizuar”. Ai shprehu shqetësimin për kthimn në efekt domino edhe për vendet e tjera të BE..

Opozita – vendimi i parlamentit holandez, akt mosbesimi ndaj qeverisë

Për kryetarin e PD dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, votimi në Parlamentin holandez pro rikthimit të vizave për shqiptarët është „një akt racizmi ndaj popullit shqiptar dhe një akt i pastër  mosbesimi ndaj qeverisë aktuale”. Në një kanal televiziv të Tiranës, Basha tha mbrëmë se “prej më shumë se 3 vitesh  policia holandeze dhe autoritetet e drejtësisë dhe ligjit në Holandë kanë konstatuar jo thjesht një rritje të numrit të krimeve të kryera nga rrjetet kriminale me bazë në Shqipëri, por rritje të influencës së tyre financiare dhe organizative. „Këto rrjete kriminale, duke operuar me bazë Shqipërinë, kanë futur në dorë trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt portit të Roterdamit apo Anversës në Belgjikë”, tha Basha .

Rezoluta e Parlamentit hollandez i është drejtuar qeverisë së Holandës. Nëse qeveria e miraton, që zbatohet duhet edhe miratimi i Komisionit Europian. Sidoqoftë vendimi i qeverisë holandeze dhe më pas i KE, rezoluta e parlamentit holandez pë rikthimin e vizave për shqiptarët hedh hije në shpresat e Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE në qershor apo pak muaj më vonë.

Fraksion.com