AktualitetBota+Të fundit

Policia mbledh pamjet filmike; Video 3D për zjarrin në Notre Dame

Policia franceze po mbledh materiale fotografike dhe audiovizuale nga kalimtarët, turistët dhe nga kamerat e dyqaneve pranë katedrales Notre Dame në mënyrë që të hartojë një video tre-dimensionale, për të parë momentet para se zjarri të shpërthente.

Mediat bëjnë të ditur se zjarrfikësit francezë (që janë një nga shërbimet më të mira në vendet e BE, të trajnuara për zjarrin), kur përballen me zjarre në ndërtesa të vjetra, zgjedhin të veprojnë brenda ndërtesës në mënyrë që të kufizojnë shkatërrimin e relikeve historike dhe nuk përdorin presion të lartë të ujit.

Siç është raportuar nga kreu i shërbimit, në qoftë se ata gjatë operacionit do të përqendronin ujë me presion të lartë, brenda tempullit temperatura mund të kalonte 800 gradë.

Një nga pyetjet më të mëdha tani, pasi u shmang shkatërrimi i plotë i simbolit të krishtërimit, është koha që do të duhet për riparimin e dëmeve dhe kostoja që do të ketë një detyrë e tillë e vështirë. Ekspertët vlerësojnë se kostoja e riparimeve do të arrijë në qindra miliona euro dhe ndoshta donacionet e deritanishme rreth 750 milionë euro e mbulojnë atë. Të tjera familje të pasura kanë dhuruar miliona euro orët e fundit. Sipërmarrësi Mark Landry de Lasarier ka marrë përsipër të rivendosë shigjetën e rrëzuar duke dhuruar 10 milion euro. Por edhe qytetarë anonimë po depozitojnë donacione.

Të martën në mbrëmje, Presidenti Macron tha se dëshiron që katedralja të jetë rindërtuar në kohën që Parisi do të zhvillojë lojërat olimpike, në vitin 2024.

“Do ta ndërtojmë edhe më bukur katedralen Notre Dame  dhe dëshiroj që të përfundohet brenda 5 vitesh. Mund ta realizojmë këtë. Varet nga ne nëse do të shndërrojmë këtë katastrofë në një mundësi për t’u bashkuar”, tha Macron.

Eric Fischer, kreu i fondacionit përgjegjës për restaurimin e katedrales 1 mijë vjeçare të Strasburgut është shprehur se për rindërtimin e katedrales Notre Dame mund të duhen dekada.
Ish-ministri i kulturës Zan Lang gjithsesi deklaroi se vepra duhet të rikonstruktohet brenda një tre vjeçari e të mos zvarritet për 15-20 vjet.

 

Fraksion.com