Notre-Dame do të ringrihet
Flakët në Katedralen e njohur në të gjithë botën e prekën në palcë Parisin. Por vetëm pak orë më vonë është e qartë: kisha do të restaurohet plotësisht. Kjo është gjë e mirë, Parisi pa Notre-Dame nuk përfytyrohet dot.
A mund të ketë një ngjarje tjetër, që do t’u shkaktonte me shumë dhimbje besimtarëve, të interesuarve për artin dhe turistëve? Katedralja e Notre-Dame-t është simbol i ndërtimit të stilit gotik, monumenti më i vizituar i Evropës, një vepër arkitekturore, e cila e prej gati 900 vjetësh e ka vendin në zemrën e Parisit dhe ka një peshë të pakrahasueshme si për të krishterët, ashtu edhe për artin dhe të interesuarit për artin njësoj.
Dhe sërish Parisi! Pas atentateve të tmerrshme terroriste të Charlie Hebdosë dhe të Bataclanit, ky lajm i trishtë e godet Parisin në palcë dhe tregon sa i hollë dhe i prishshëm është vërniku i civilizimit. Sa plagë duhet të marrë dhe duhet të durojë ende ky qytet krenar?
Solidaritet dhe këshilla
Menjëherë politikanët kryesorë të botës i drejtuan Francës fjalë të tronditjes dhe të solidaritetit. Presidenti francez, Emmanuel Macron e quajti Notre-Dame “epiqendrën e jetës sonë” dhe shprehu dhimbjen kolektive të të gjithë francezëve: “Këtu digjet edhe një pjesë e jona”.
Edhe vetë Presidenti i SHBA, për të cilin nuk kanë dyshimin se nderon civilizimin e vjetër, u ankua për shkatërrimin e njërit “prej thesareve më të mëdha të botës” dhe “një pjese të kulturës sonë”.
Rehabilitim = shkatërrim?
Për dy shekuj me radhë e ndërtuan Katedralen. Që prej vitit 1345 ajo qëndron e përfunduar në Ile de la Cité të Parisit. Çfarë nuk ka kaluar kjo zonjë e vjetër? Luigjit XIV iu duk i vjetëruar interiori; ai e transformoi krejtësisht. Në Revolucionin Francez kisha u përdhos, u hoqën figurat e gurta dhe ndërtesa u përdor si depo vere. Katedralja mbijetoi edhe dy luftëra botërore: përshtypja që u krijua ishte se ajo do të, jo: ajo duhet të qëndronte aty përjetësisht.
Por në fakt ndërtesa kishte nevojë të madhe për rinovim. Shkaku i flakëve nuk është sqaruar përfundimisht, ekspertët aktualisht megjithatë nuk besojnë se ajo që ndodhi qe shkatërrim i qëllimshëm ose atentat, por një aksident, i cili ka të bëjë me punimet e rehabilitimit.
Po të dalë e saktë kjo, atëherë këtu do të kishim një tragjikë të veçantë, thuajse paradoksale: në përpjekje për të shpëtuar strukturën e vjetër të Katedrales, ajo u shkatërrua. Takimi i materialit të vjetër me teknikën e re pati pasoja shkatërrimtare.
Parisi pa Notre-Dame? Non!
Ndoshta dikur do të dihet më shumë për rrjedhën e ngjarjeve. Për momentin thjesht nuk të besohet ajo që ka ndodhur. Po Parisi pa Notre-Dame? I papërfytyrueshëm. Pa kaluar 24 orë nga shpërthimi i zjarrit, qeveria polake dhe gjermane premtuan ndihmë për rindërtimin. Dy familje miliardere të Parisit vunë në dispozicion 300 milionë euro për restaurimin. Qyteti i Parisit premtoi 50 milionë euro dhe një konferencë për koordinimin e donacioneve ndërkombëtare.
Pas zjarrit shkatërrimtar muret e jashtme dhe kullat ende qëndrojnë, disa thesare artistike dhe organoja e famshme e viteve 1730 me sa duket u arritën të shpëtohen.
Një gjë është e sigurtë që tani: edhe nëse rruga do të jetë e gjatë dhe ndoshta do të kërkojë dekada: Notre-Dame do të ngrihet sërish në këmbë./DW
Fraksion.com