AktualitetOp-EdRajoniTë fundit

Në pritje të kthesës energjetike në Ballkan

Nga Doris Pundy

 

Shtetet e Ballkanit Perëndimor mbështesin termocentrale të vjetruara duke investuar miliona euro në to. Megjithatë, aktivistët e ambjentit shohin shenjat e para të përmirësimit.

Po të ishin shtetet e Ballkanit Perëndimor që nesër anëtarë të BE, të gjitha termocentralet me qymyr do të falimentonin brenda natës. Kështu e përmbledh Janez Kopac rezultatin e studimit të tij më të fundit. Kopac është drejtor i “Energy Community”, një organizmi të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Evropës Lindore dhe Juglindore për sektorin e energjisë.

Që tani, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia investojnë jo më pak se 170 miliona euro në vit subvencione në fuqinë e qymyrit. Po të ishin në BE këto pesë shtete, çdo vit kësaj shume do t’i shtohej edhe rreth një miliardë euro. Shkaku për këtë: tregtia e shkarkimeve (emisioneve).

Energjia prej qymyrit e Ballkanit nxjerr fitime në BE

Në BE, sipërmarrjet që e ngarkojnë ajrin me gaze të efektit serë duhet të blejnë për këtë të drejta. Shkarkimi i një toni dioksiod karboni (CO2) kushton për shembull rreth njëzet euro. Termocentralet e qymyrit në Ballkanin Perëndimor janë veçanërisht ndotëse dhe që e dëmtojnë shëndetin. Prandaj është kaq e madhe shuma që do të nevojitej për t’i mbajtur në punë në BE.
Janez Kopac rekomandon që të futet që tani një taksë për shkarkimet. Në vend të 20 eurove, të kërkohen pak euro për ton, që të investohen pastaj në zgjerimin e energjive të ripërtëritshme.
Por realiteti është i ndryshëm. Në vitet e ardhshme do të ndërtohen termocentrale të reja me qymyr. Pas kësaj qëndron një llogari që kanë bërë: “Energjia e qymyrit e prodhuar në Ballkan eksportohet në pjesën më të madhe në BE. Por ajo është më e lirë se energjia nga termocentralet me qymyr të BE, të cilat duhet të paguajnë taksa për shkarkimet”, thotë Kopac. Pra llogaria del.

Rruga e gabuar e energjisë ujore

Deri në vitin 2020 synohet që njëzet përqind e energjisë që konsumohet në BE të vijë nga burime të ripërtëritshme. Deri në vitin 2030 duhet të jenë 32 përqind. Shumë shtete anëtare, midis tyre edhe Gjermania nuk do ta arrijnë këtë synim.
Shtete, që duan të hyjnë në BE, duhet të orientohen gjithashtu në këto synime. Ndërtimi i centraleve “të gjelbra” nga ky shkak nxitet veçanërisht në Evropën Juglindore. Kjo bëri që aktualisht të ngrihen rreth 2700 mini-hidrocentrale me një kapacitet deri në dhjetë megavoltamper në Serbi, Bosnjë, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Shqipëri dhe Mal i Zi – për keqardhjen e madhe të popullatës lokale dhe të mbrojtësve të ambjentit.
Fitimi i energjisë nga fuqia ujore është vetëm kushtimisht i qëndrueshëm, shprehet Igor Kalaba nga Climate Action Network, sepse digat i shkaktojnë dëme të mëdha natyrës. Hidrocentralet e vogla nuk sjellin fitime pa subvencione, dhe për shkak të kapacitetit të tyre të vogël ato nuk kontribuojnë për sigurinë energjetike të rajonit. Shkatërrimi i peizazhit është disproporcional, lejet e ndërtimit jepen shpesh pa shqyrtuar pështatjen me mjedisin.

Përparime megjithë mungesën politike

Për ta kundërshtuar këtë zhvillim, Kalaba kërkon kalimin nga subvencionet për hidrocentrale të vogla në tendera publikë për projekte të mëdha të erës dhe solare. Bazë për të gjitha tenderat mund të ishin vlerësime të ndikimit në mjedis, në të cilat të përfshihet edhe popullata lokale.
Kalaba thotë se centralet ekzistuese mund të prodhojnë me anë të modernizimeve më shumë energji. Përcjellës më të mirë dhe terminale më të mira mund të ndihmojnë që të kursehet energjia. Për ta bërë më efektiv rrjetin e energjisë në rajon, rrjetet e vendeve të veçanta duhet të lidhen më mirë me njëra-tjetrën. Kjo do të kërkonte prej shteteve besim në shtetet e tyre fqinjë.
Megjithë problemet, ka edhe zhvillime pozitive. Në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe në Kroaci vitet e fundit janë ngritur parqe me turbina ere, që i plotësojnë të gjitha kërkesat dhe që janë më të vërtetë të qëndrueshme. Zhvillimin më të madh Kalaba megjithatë e sheh tek populli: “Pesë vjet të shkuara në rajon nuk ka folur askush për kthesën energjetike. Tani njerëzit flasin për të. Ky është një përparim madhështor.”/DW

 

Fraksion.com