AktualitetBota+Të fundit

Mjekët amerikanë ndihmojnë pacientët në Venezuelë

Mjekët nga Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela po punojnë së bashku për të ndihmuar pacientët në Venezuelë. Mjekja Gabriela Blohm jeton në Gainsvillë të Floridës ndërsa mjeku Alberto Paniz-Mondolfi jeton 2.000 kilometra larg, në Barquisimeto të Venezuelës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Christina Caicedo Smit, thotë se puna e tyre në ekip mund të shpëtojë disa jetë sot dhe në të ardhmen.

Ky laborator në Universitetin e Floridës po ndihmon mjekët venezuelianë të ndjekin sëmundjet në vendin e tyre. Ata mbetën pa informacion kur zyrtarët venezuelanë ndaluan botimin e të dhënave mbi sëmundjet që prekin Venezuelën.

Kriza shëndetësore është përkeqësuar nga trazirat ekonomike dhe politike, si dhe nga pakësimi i fondeve dhe ilaçeve.

“Asgjë e mirë nuk vjen kur ndalon financimin e shëndetit publik. Rezultatet janë zakonisht të këqija.Sëmundjet përhapen dhe janë njerëzit që vuajnë”, thotë Dr. John Lednicky në Universitetin e Floridës.

Shtimi i sëmundjeve i nervozoi mjekët venezuelianë, të cilët nuk mund të kryenin teste laboratorike. Kështu mjekja Gabriela Blohm në Gainesville të Floridas dhe Dr. Alberto Paniz-Mondolfi në Barquisimeto, vendosën të krijonin “Inkubatorin e Shkencave të Venezuelës”, për të vazhduar studimet epidemiologjike dhe për të trajnuar studentët e mjekësisë dhe ata shkencorë.

“Filluam mbledhjen e mostrave nga pacientë që kishin simptoma që i ngjanin virusit zika dhe i sollën ato në Universitetin e Floridës për një test laboratorik për të konfirmuar praninë apo mungesën e virusit zika”, thotë mjekja Blohm

Universiteti i Floridas testoi mostrat e pacientëve dhe gjeti raste të virusit zika në Venezuelë. Shkencëtarët thonë se zyrtarët qeveritarë akuzuan mjekët se po trembnin njerëzit dhe bllokuan testet e mëtejshme.

Doktoresha Blohm dhe mjeku Paniz-Mondolfi tani po trajnojnë studiues të rinj për Venezuelën.

“Trajnimi i studentëve në terren që është ajo që grupi ynë po bën, është thelbësor për të përmirësuar aftësitë tona për të zbuluar këto sëmundje dhe për të qenë në gjendje t’u japim pacientëve rezultatet e diagnozës së tyre sa më shpejt që të jetë e mundur”,thotë doktoresha Blohm.

Studentët komunikojnë me doktoreshën Blohm përmes WhatsApp-it dhe Skype-it. Ajo u tregon analizat e mostrave të pacientëve në kompjuterin e saj, së bashku me aftësitë laboratorike dhe të testimit.

“Ajo ka shërbyer si një urë në fushën e virologjisë, veçanërisht në fushën e arboviruseve, si zika, dengu dhe ethet e verdha”, thotë studenti Luis Alfredo Perez Garcia.

Klasa elektronike do të thotë se nxënësit venezuelianë mësojnë, edhe pse nuk kanë pajisje laboratorike, thotë mjeku Paniz-Mondolfi.

“Nëse ndonjë nga studentët tanë vjen në laboratorin e Gabrielës në Shtetet e Bashkuara, ata janë gati të vënë dorashkat dhe të mbajnë epruvetat”.

Mjekët dhe studentët shpresojnë se ata do të kenë një laborator të pajisur siç duhet në Venezuelë. Ndërkohë, ata përdorin teknologjinë për të kapërcyer pengesat dhe për të vazhduar punën dhe mësimin.

 

Fraksion.com