Kritika vendimit; Qeveria e Kosovës do të ndajë fonde për Notre Dame
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se do t’i propozojë Qeverisë së Kosovës ndarjen e një donacioni për renovimin e Katedrales Notre Dame në Francë, në shenjë mirënjohje për ndihmën që i është dhënë në vazhdimësi Kosovës.
Këtë deklaratë, Haradinaj e bëri gjatë takimit të Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donatorëve, me ç’rast shprehu mirënjohje për ndihmën e donatorëve për 20 vite radhazi në Kosovë.
Katedralja mesjetare Notre-Dame, në zemër të Parisit, u përfshi nga zjarri i madh dy ditë më parë. Zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike, të vjetër 850 vjet, përfshirë dy kullat e saj, porse maja dhe çatia u shembën.
Por, propozimi i Haradinajt po kritikohet nga përfaqësuesit e partive opozitare. Kreu i Partisë Social-Demokrate, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkruar në Facebook se mjetet do të duhej ndarë për rastet sociale në Kosovë.
“Fondet të cilat qeveria i ka ndarë do të ishte mirë ti ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Së fundmi kemi pas disa djegie të shtëpive në disa komuna si pasojë e fatkeqësive dhe familjet nuk kanë mundësi me i riparu. Për komunë të Prishtinës mund të ofrojmë informata”, ka shkruar Ahmeti.
Edhe deputeti i partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dalë kundër këtij vendimi. Ai ka shkruar në Facebook, se Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës.
Liderë botërorë dhe personalitete të njohura kanë shprehur vullnetin për të ndarë fonde që ndihmojnë në rindërtimin e katedrales.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do ta rindërtojë katedralen brenda pesë vjetësh, duke premtuar se “do të bëhet edhe më e bukur”.
Fraksion.com