Ish gjenerali iranian; Në Bosnjë, kam luftuar me uniformën e Gjysmëhënës së Kuqe
Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka hedhur poshtë pohimet e një ish gjenerali, i cili ka thënë se kishte veshur uniformën e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit për “qëllime ushtarake” gjatë luftës në Bosnjë.
Gjysmëhëna e Kuqe e Iranit është organizatë joqeveritare në Iran.
Saeed Qassemi, gjeneral tashmë i pensionuar i Gardës, është një ultra-konservator i zëshëm dhe njihet për kritikat në adresë të ish presidentit reformator, Mohammad Khatami, dhe pasardhësit të tij, Hassan Rouhani.
Në një intervistë me agjencinë iraniane të lajmeve, Aparat, Qassemi tha më 14 prill se kishte vizituar Bosnjën gjatë viteve të 90’ta, dhe kishte ofruar ndihmë në “stërvitjen e luftëtarëve myslimanë”.
“Në Bosnjë, në zemër të Evropës, kishte shumë zhvillime. Ishim përkrah me al-Qaedan. Pjesëtarët e al-Qaedas mësonin nga ne. Muxhahedinët nga e mbarë bota filluan të vijnë në Bosnjë, kishte një zhvillim të ri. Njësitë myslimane të xhihadistëve u themeluan”, ka thënë Qassemi në intervistë, shkruan REL.
Zëdhënësi i Gardës, Ramazan Sharif, tha më 17 prill se pohimet e zotit Qassemi janë pikëpamje të tij personale dhe nuk përfaqësojnë Gardën.
Vetëm një orë pasi Garda hodhi poshtë deklaratat e Qassemit, edhe zyra e presidentit Rohani gjithashtu i mohoi ato, duke thënë se ‘deklaratat e tilla ndihmojnë vetëm armikun’.
Deklaratat e Qassemit vijnë pak ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e ka emëruar gardën si “Organizatë Terroriste”, duke e akuzuar për mbështetje të grupeve militante në botë.
Gjysmëhëna e Kuqe e Iranit ndërkaq, ka kërcënuar gjeneralin e pensionuar me padi.
“Nëse një individ ose një subjekt shtetëror ka shfrytëzuar logon ose uniformën e Gjysmëhënës për të kryer operacione kundër synimeve dhe parimeve të Shoqërisë Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, atëherë ajo përfundimisht ka ndodhur pa lejen e Gjysmëhënës së Kuqe dhe pa dijeninë e saj”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate.
Fraksion.com