Haradinaj, Vuciqi, Thaçi e Bërnabiqi së bashku në Berlin
Haradinaj, Vuciqi, Thaçi e Bërnabiqi do të takohen në Berlin. Derisa për presidentin Thaçi takimet në këto formacione janë të zakonshme, kryeministri Haradinaj e ka për herë të parë përballjen me Aleksander Vuçiqin. As këtu nuk mungon Mogherini, ndërsa të ftuar janë liderët e tjerë të Ballkanit.
Gjermania dhe Franca kanë vendosur që në fund të prillit, në Berlin t’i mbledhin liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në listën e plotë të të ftuarve që e ka siguruar Gazeta Express, janë edhe përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Federica Mogherini dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.
Bie në sy se Gjermania ka ftuar vetëm nga Serbia dhe Kosova nga dy liderë, kryeministrin e presidentin.
Për këtë vizitë, që do të mbahet me 29 prill, me ftesë të Gjermanisë dhe Francës, fillimisht u deklarua presidenti serb, Aleksandër Vuciq. Ai tregoi se me të në takim do të shkojë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
Zyra e Kryeministrit e ka konfirmuar se kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë ftesë nga Gjermania për takimin në fjalë.
“Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë ftesë për të marrë pjesë në takimin 29 prillit në Berlin“, ka thënë zëdhënsja e Qeverisë për Gazetën Express.
Edhe Zyra e Presidentit Hashim Thaçi e ka konfirmuar për Gazetën Express ftesën që ky i fundit e ka marrë.
“Po e konfirmoj pranimin e ftesës për presidentin e Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Berlin më 29 prill”, ka thënë Bekim Çollaku, shef i stafit të Presidentit.
Për Thaçin pjesëmarrjet në këso formacione janë të zakonshme, ndërsa kryeministri Haradinaj do ta takojë për herë të parë Vuçiqin.
Bashkë me katër liderët nga Kosova e Serbia, në takim do të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Deniz Zvizdiq; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev; Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe kryeministrin slloven, Marjan Shareq.
Fraksion.com