Beograd: Pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie për krime lufte në Kosovë
Gjykata e Lartë në Beograd, dënoi të martën me 15 vjet heqje lirie një ish oficer të ushtrisë jugosllave për krime lufte kundër civilëve në Kosovë.
Rajko Kozlina, u shpall fajtor për vrasjet në fshatin Tërrnje në komunën e Suharekës më 25 mars të vitit 1999, ndërsa komandanti i tij, Pavle Gavriloviç, u la i lirë.
Mediet serbe e cituan gjykatësen e rastit, Mirjana Iliç, të ketë thënë se Rajko Kozlina drejtoi njësinë e tij në fshat ku u vranë të paktën 31 civilë shqiptarë, mes tyre 12 gra dhe katër fëmijë. Por, sipas saj, nuk u gjetën prova për të dëshmuar se Pavle Gavriloviçi, atëbotë komandant i një brigade të ushtrisë jugosllave kishte dhënë urdhër që “të mos jetë të mbijetuar”, siç thuhet në akuzë.
Veprimtarët e Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, të cilët kishin ngritur kallëzimin penal për këtë rast në vitin 2008, duke përfshirë 11 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave, thanë se me dënimin e sotëm nuk është vënë drejtësia.
Akuza që ishte ngritur në vitin 2013 përfshiu vetëm dy veta, ndonëse Fondi kishte ofruar dëshmi se numri i të përfshirëve në vrasje ishte shumë më i lartë.
Procesi gjyqësor kishte filluar në vitin 2015 duke u zvarritur për katër vjet me radhë.
Fraksion.com