Zjarri i Notre-Dame: Macron premton të rindërtojë katedralen e shkatërruar të Parisit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do ta rindërtojë katedralen mesjetare Notre-Dame, pasi një zjarr i madh shkatërroi pjesërisht simbolin e Parisit.
Zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike, të vjetër 850 vjet, përfshirë dy kullat e saj, porse maja dhe çatia iu shembën.
Zjarri u vu nën kontroll gati nëntë orë pasi nisi, të hënën pasdite.
Shkaku i tij nuk është ende i qartë, por zyrtarët thanë se mund të lidhet me punimet e renovimit.
Prokuroria e Parisit tha se aktualisht është duke e hetuar atë si një aksident.
Gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, Macron tha se “më e keqja është shmangur”, pasi është ruajtur struktura kryesore e katedrales.
Ai u zotua se do të nisë një skemë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve për rindërtimin.
“Do ta rindërtojmë këtë katedrale të gjithë së bashku”, tha Macron.
“Kjo është ajo që francezët presin, sepse kjo është ajo që meriton historia jonë”, shtoi ai.
Miliarderi François-Henri Pinault, shef ekzekutiv i grupit Kering, i cili zotëron markat e modës Gucci dhe Yves Saint Laurent, premtoi tashmë 100 milionë euro për rindërtimin e katedrales Notre-Dame.
Zjarrfikësit pastaj kaluan orë të tëra për të parandaluar kolapsin e njërës prej kullave ikonë të kambanës.
Ekipet e emergjencës arritën të shpëtonin vepra të vlefshme arti dhe gjëra fetare, që ruheshin brenda katedrales së ndërtuar në shekujt e 12-të dhe 13-të.
Macron tha se vlerëson lart “guximin e jashtëzakonshëm” të 500 zjarrfikësve të përfshirë në operacion.
Hera e fundit që katedralja pësoi dëme të mëdha ishte gjatë Revolucionit Francez. Ajo u mbijetoi dy luftërave botërore kryesisht e padëmtuar.
Katedralen e vizitojnë mbi 13 milionë turistë çdo vit.
Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar atë.
Fraksion.com