Mohimi i krimeve gjatë luftës shihet si fyerje ndaj viktimave
Adem Ramadani, i plagosur në ditën kur ndodhi masakra e Reçakut në janar të vitit 1999, thotë se ndihet i fyer nga deklaratat e fundit të një ish-ministri të Kosovës nga komuniteti serb se ngjarja në Reçak është trilluar.
Ai ka kritikuar drejtuesit e institucioneve të Kosovës që nuk janë marrë me masakrën që ndodhi në fshatin e tij, ku humbën jetën më shumë se dyzet persona. Sipas tij, deri tash as gjykatat e Kosovës nuk kanë akuzuar asnjë person për krimet e bëra.
“Masakra e Reçakut është e njohur besoj në gjithë botën. Ne ndihemi të fyer. Si nuk ndihemi të fyer kur njerëzit kanë humbur nga 3 anëtarë të shtëpisë në Reçak e në vendet tjera edhe me shumë. Por, neve na zbeh edhe një fakt tjetër ai i qeverisë tonë pasi që kurrë nuk ka akuzuar serbët për Reçakun dhe të gjitha masakrat e tjera. Në fakt po i hapet dera Beogradit të na kundërvihen neve më këso akuza edhe të thonë se nuk ka masakra, pasi ne vet nuk po i ecim kësaj pune”, tha Ramandani.
Një iniciativë e tillë erdhi pasi një ish-ministër dhe një ish-zëvendës ministre e Qeverisë së Kosovës, nga komuniteti serb, u shkarkuan nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi thanë se shumë krime të kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe në të vërtetë nuk kishin ndodhur kurrë.
Ballkani perëndimor, rajon që ka përjetuar luftërat më të përgjakshme në Evropë që nga mbarimi i Luftës së Dytë botërore, njihet si rajon ku liderët e shteteve që kanë kryer krime i mohojnë ato.
Lideri i serbëve të Bosnjës dhe njëherësh kryetar i Kryesisë së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka thënë javën e kaluar se në Srebrenicë gjatë luftës ka ndodhur një fatkeqësi tmerrësisht e rëndë mirëpo sipas tij “boshnjakët po përpiqen ta ndërtojnë mitin për Srebrenicën. Ky është një mit i rrejshëm, ai mit nuk ekziston”.
Njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë e shohin me skepticizëm iniciativën e Qeverisë së Kosovës për hartimin e një ligj i cili sanksionon mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.
Qeveria e Kosovës, ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë, që të hartojë ligjin bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, duke folur për Radio Evropa e Lirë, thotë se ky ligj është i mirëseardhur, por ka mundur të inkorporohet në disa nene ne Kodin Penal të Kosovës.
“Kjo iniciativë është e mirë. Do të ishte mirë sikur kjo të ishte në kuadër të Kodit Penal. Gjermania, Polonia, Çekia e disa shtete te tjera e kanë të paraparë ketë si vepër penale. Ketë e kanë paraparë në rastet kur Gjykata ka konstatuar se është kryer krimi dhe nëse ndonjë person tjetër thotë se nuk ka ndodhur ai krim dhe e mohon atë, ai duhet të dënohet”, tha Salihu.
Profesori Salihu, i cili së fundmi ka punuar në plotësim ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës kishte propozuar që me ndryshimet e bërë në Kodin Penal të futen disa nene për ketë çështja. Ai tha se propozimet e tij nuk ishin pranuar për shkak të mosmirëkuptimit.
“Më praktike kishte më qenë po të ishte në kuadër të Kodit Penal, por edhe tash mund të bëhet një dispozitë dhe atë dispozitë duhet ta përpilojnë ekspertët sepse kjo është shumë me rëndësi dhe shumë e ndjeshme. Me ketë do të duhej t’u tregohet të gjithëve se nëse deklaron për shembull se është imagjinare, e sajuar ose fiktive që nuk është ai krim të cilin gjykata e ka konstatuar ai duhet të përgjigjet penalisht dhe parashihet dënimi nga 1 deri në 5 vjet”, ka shpjeguar Salihu.
Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, tha për Radion Evropa e Lirë se Fondi për të Drejtën Humanitare mendon se duhet të ketë një raport të të gjitha krimeve të cilat kanë ndodhur gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.
Sipas tij, raporti para se gjithash duhet bazuar në të dhëna të sakta dhe të pranohet nga palët në konflikt dhe të thonë se ata persona janë vrarë si shkak i luftës.
Alija thotë se hartimi i ligjit i cili sanksionon mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë mendon se do të ketë vështirësi në arsyetimin e atij ligji.
“Së pari duhet të këtë një bazë ligjore dhe një fakt gjyqësor e pastaj me anë të ligjit të trajtohet mohimi i atij fakti gjyqësor i cili është vërtetuar në gjykata. Normal në ligj ekzistojnë nxitja e urrejtjes dhe veprat penale tjera të ngjashme. Mund të nxirret një rregullore por, jo një ligj i posaçëm për mohimin e të gjitha krimeve”.
“Ne e dimë se disa prej fakteve të krimeve të luftës janë vërtetuar nga Tribunali i Hagës dhe gjykatave vendore, por jo të gjitha krimet kanë marrë një epilog gjyqësor. Andaj është e mirë që të dy palët të jenë të përmbajtura kur i përdorin këto deklarata të forta për shkak se deklarimet e tyre vetëm se më shumë i rëndojnë familjarët e viktimave të luftës. Askush nuk ja mohon atyre të thirren në faktet e vërtetuara gjyqësore”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, javën e kaluar e ka shkarkuar nga detyra ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, i cili vjen nga radhët e partisë Lista Serbe. Haradinaj tha se deri te ky vendim erdhi pas disa komenteve të bëra nga Teodosijeviq, lidhur me masakrën e Reçakut.
Në Zveçan, gjatë një organizimi për të shënuar 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, përfaqësuesi i Listës Serbe, Ivan Teodosijeviq, ka thënë se arsye për “agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
Në muajin mars, kryeministri Haradinaj ka shkarkuar edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pasi ajo kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka thënë se përkushtimi ndaj të së vërtetës për të kaluarën e luftës është jetësor për një të ardhme paqësore.
“Mohimi i mizorive fyen kujtimet për viktimat, i traumatizon familjet edhe më shumë dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane e lëshuar të hënën pasdite.
Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.
Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë./REL
Fraksion.com