AktualitetBota+Të fundit

Blerja e sistemit raketor rus nga Turqia dhe kundërshtimi amerikan

Ministri turk i mbrojtjes tha se blerja e sistemeve raketore ruse nuk duhet të bëhet shkak për sanksione nga Shtetet e Bashkuara, sepse Ankaraja nuk është rivale e Uashingtonit dhe mbetet e angazhuar ndaj NATO-s.

Ministri Hulusi Akar tha në Uashington se Turqia pritet të vazhdojë të jetë jo vetëm blerëse e avionëve luftarakë F-35, por edhe një partnere prodhimi, pavarësisht paralajmërimeve amerikane se ajo do të përjashtohej nga blerja e këtyre avionëve, nëse blen sistemin rus të mbrojtjes S-400.

Shtetet e Bashkuara thonë se nuk do të lejojë që avioni F-35 të funksionojë paralelisht me sistemin rus të mbrojtjes.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo njoftoi javën e kaluar se Uashingtoni i kishte komunikuar Ankarasë se mund të përballet me sanksione nëse blen sistemin rus të mbrojtjes ajrore.

Ministri turk përsëriti ofertën e vendit të tij për të mbajtur bisedime teknike me Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur “shqetësimet teknike” siç tha ai, për blerjen e sistemit rus S-400.

 

Fraksion.com