“Start SMART”; Programet e trajnimit për të papunët; 20 mijë punëkërkues në të gjithë vendin
Paketa u miratua në fund të nëntorit të vitit 2018 dhe u pilotua në 5 qarqe të vendit (Shkodër, Elbasan, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër). Për vitin 2019 do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe synon trajnimin e 20 mijë punëkërkuesve të papunë.
Kursi i trajnimit “Start SMART” përqendrohet në ushtrime formimi dhe në vlerësimin e aftësive sociale të lidhura me punën, të cilat kërkohen nga punëdhënësit. Ushtrimet janë të një natyre praktike dhe i përfshijnë kursantët në procesin e formimit.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në mjediset e Qendrës së Formimit Profesional në Durrës, e cila i shërben të gjithë zonës së Durrësit, Krujës, Fushë-Krujës me shërbime trajnimi afatshkurtër.
Në bisedën me kursantët, kryeministri tha se “kursi është një ndihmë e madhe për ta, dhe premtoi se mbështetja do të vijojë edhe më pas në gjetjen e një pune”.
“Të jeni të sigurt që kjo ju ndihmon shumë se ju e keni dëshirën për punë, por s’keni akoma një kualifikim minimal. Kështu që këtu merrni disa parime bazë, pastaj në vijim ne do t’iu ndihmojmë për të pasur kontaktet e duhura me sipërmarrjet dhe për të filluar punë”, – theksoi kryeministri Rama.
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, u shpreh se kursi trajnon punëkërkuesit e papunë me aftësi bazë, por edhe si të kenë shprehitë e duhura për të fituar një vend pune.
“Qendra e Formimit Profesional Durrës i shërben të gjithë zonës së Durrësit, Krujës, Fushë-Krujës me shërbime trajnimi afatshkurtër që variojnë nga disa javë në disa muaj, maksimumi në rreth 6 muaj. Konkretisht, një nga paketat e fundit që kjo qendër e formimit profesional ka lancuar është paketa “Start Smart” dhe që targeton të gjithë ata që kanë qenë të papunë për një kohë të gjatë, të larguar nga tregu i punës dhe i trajnon ata me aftësi bazë si të kërkojnë një vend pune, por edhe si të kenë shprehitë e duhura për të fituar një vend pune”, – u shpreh ajo.
Një nga problemet kryesore të Zyrave të Punësimit, në aspektin e ndërmjetësimit për punë dhe profesion, është pasiviteti i punëkërkuesit të papunë dhe mungesa e motivimit për punë.
Kursi “Start SMART”, jo vetëm ndihmon në profilizimin e punëkërkuesit të papunë përsa i përket aftësive bazë të punësueshmërisë, por në fund të kursit jepet një vlerësim mbi përgatitjen e kursantit për tregun e punës, ndaj ky kurs mund të përdoret nga Zyrat e Punësimit si mjet orientimi për karrierë për të gjithë punëkërkuesit e papunë të regjistruar.
Një nga mësueset e Qendrës shpjegoi se “janë të gjithë punëkërkues të papunë, që vijnë nga zyra e punësimit dhe sot fillojnë kursin në qendrën tonë. Kursi është dyjavor, 4 orë mësimore çdo ditë, bëjmë vlerësimin e aftësive sociale dhe në fund bëjmë profilin që e çojmë në zyrën e punësimit. Zyra e punësimit orienton të gjithë në formim profesional ose në punësim.”
Drejtuesja e Shërbimit Kombëtar të Punësimit Elira Çaushi tha se këtë vit është rritur bashkëpunimi mes zyrave të Punës dhe Qendrave të Formimit Profesional.
“Këtë vit kemi vendosur një target të përbashkët edhe për qendrat e formimit profesional, njësoj si për zyrat e punës, 70% e të gjithë klientelës që do kenë qendrat e formimit do vijnë nga Zyrat e Punës me qëllim që të forcojmë bashkëpunimin që ata punëkërkues të rrisin aftësitë e tyre sociale, formimit profesional dhe të kenë më shumë mundësi në treg. Ne i kontrollojmë të dy targetet. Të dy institucionet janë shumë të lidhura këtë vit me njëri-tjetrin, edhe zyra e punësimit edhe qendra e formimit profesional”, – nënvizoi Çaushi.
Synimi është që në një të ardhme, çdo person që hyn si punëkërkues i papunë për herë të parë të ketë mundësinë të ndjekë këtë lloj trajnimi.
“Këtë vit ne do të trajnojmë 20 mijë punëkërkues të papunë që do të thotë, është 1/3 e të gjithë të papunëve në Shqipëri me synimin që në të ardhmen çdo person që hyn si punëkërkues i papunë për herë të parë të ketë mundësinë të ndjekë këtë lloj trajnimi”, – u shpreh zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen.
Fraksion.com