Trump: Mund të ndodhë takimi i tretë me Kim Jong Unin
Ulur përkrah presidentit të Koresë së Jugut në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, shprehu gatishmërinë e tij për një takim tjetër me udhëheqësin e Koresë së Veriut, në një përpjekje për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për çarmatimin bërthamor.
“Takimi i tretë mund të ndodhë”, tha presidenti Trump. “Hap pas hapi. Nuk do të shkojë shpejt”.
Duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari në zyrën ovale, nëse do të pranonte çfarëdo marrëveshjeje për çarmatimin bërthamor, ai tha se ka një varg “marrëveshjesh të vogla që mund të ndodhin”.
“Por, tani po flasim për një marrëveshje të madhe”, që “të heqim qafesh armët bërthamore”.
Presidenti Trump, tha se ka vendosur të mos ashpërsojë sanksionet ndaj Phenianit, por synon që “sanksionet ekzistuese të mbeten në fuqi”.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha se procesi është ende duke përparuar. Presidenti Moon ishte nxitësi i takimeve ndërmjet udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, që kurrë nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike.
Presidenti Moon i tha presidentit Trump se takimi i parë që u mbajt në Singapor në qershor të vitit të kaluar, çoi në një ulje të rëndësishme të tensioneve në gadishullin korean dhe ka nevojë për një takim të tretë.
“Tani paqja ka ngadhënjyer”, i tha ai presidentit Trump duke folur në gjuhën koreane. “Ne besojmë se ju do të jeni në gjendje ta zgjidhni këtë problem dhe ndryshimi dramatik është vetëm në saje të udhëheqjes suaj të fortë”.
Presidenti Trump refuzoi të thotë nëse kishte komunikuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut gjatë javëve të fundit.
Ai u takua dy herë deri tash me udhëheqësin koreano verior Kim Jon Un. Takimi i dytë u mbajt në muajin shkurt në Vietnam, i cili përfundoi me herët sesa ishte planifikuar, meqë Koreja e Veriut kërkoi heqjen e sanksioneve, ndërsa Shtetet e Bashkuara i kërkuan Koresë së Veriut të heqë dorë nga armët bërthamore.
Fraksion.com