AktualitetKosovaTë fundit

Pacolli: Gjermania e mbështetë liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se Gjermania zyrtare ka deklaruar që e mbështetë plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ky njoftim vjen pas takimit që ka zhvilluar Pacolli në Varshavë me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Mass, ku siç thuhet, është diskutuar për mbështetjen e Gjermanisë edhe për procesin e dialogut me Serbinë dhe arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje mes të dyja vendeve.

“Në Varshavë, zhvillova një takim bilateral me ministrin e jashtëm gjerman Heiko Mass, i cili tashmë konfirmoi se Gjermania me të gjithë mekanizmat e saj mbështetë plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha Pacolli në Facebook.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është stërzgjatur nga institucionet e Bashkimit Evropian. Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen.

Vendet që më së shumti kanë shprehur hezitimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, janë pikërisht vendet aleate, ku përfshihej edhe Gjermania, të cilat deri më tash, përveç se e kanë njohur ndër të parat Kosovën, kanë ndihmuar atë në procesin e integrimeve evropiane.

Ndryshe, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, pati përmendur vitin 2020 si kohën më optimale, kur Kosova do të mund sërish të presë një vendim eventual pozitiv për liberalizimin e vizave.

Postimi i Pacollit në Facebook:

 

Fraksion.com