AktualitetBota+Të fundit

OKB: 68.5 milionë refugjatë kanë nevojë për ndihmë

Komisari i Lartë për refugjatët, Filippo Grandi i kërkoi Këshillit të Sigurimit të angazhohet më shumë për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, prej së cilës janë ngarkuar shumë vendet e varfëra.

Numri i refugjatëve në botë ka mbërritur në 68.5 milionë. Dhe Filippo Grandi, Komisari i lartë për refugjatët i kërkoi së fundmi (09.04), Këshillit të Sigurimit të OKB reagim ndërkombëtar më efektiv për zbatimin e Paktit Global për refugjatët. Kohët janë sfiduese, tha Grandi. Ai foli për stigmatizim të paprecedentë të refugjatëve dhe migrantëve. Prandaj i bëri thirrje politikanëve dhe mediave të kenë kujdes. “Kjo është krizë e nënave me fëmijë që ikin nga dhuna e bandave, e të rinjve që ikin prej luftës, e qeverive të vendeve të varfra që hapin dyert për mijëra refugjatë,” tha Grandi. Komisari i lartë për refugjatët i kërkoi Këshillit të Sigurimit të fokusohet në zgjidhjen e konflikteve dhe mbështetjen e vendeve që presin refugjatë, shkruan DW.

Libia, Jemeni, Siria, Venezuela janë kriza që kanë shkaktuar zhvendosje të njerëzve për shkak të konflikteve. 85 përqind e refugjatëve ndodhen në vende të varfëra. Vende si Libani, Kolumbia dhe Bangladeshi mbajnë barrë të madhe me refugjatë dhe kanë nevojë për mbështetje. Grandi kërkon që UNHCR të ketë akses për të punuar me refugjatët. Prandaj i kërkon vendeve që kanë mundësi të influencojnë, që ta përdorin influencën për të dërguar UNHCR tek njerëzit e zhvendosur.

UNHCR kërkon që kthimet të jenë të vullnetare, të sigurta dhe me mbështetjen e organizatave humanitare. “Vendet duhet të punojnë bashkë për të hequr pengesat që nuk lejojnë kthimin e njerëzve në vendet e tyre,” tha Komisari i Lartë. 6 milionë sirianë duan të kthehen në shtëpitë e tyre, por ata kanë shqetësime për çështjet e sigurisë. Filippo Grandi falenderon Rusinë për vendosjen e dialogut me qeverinë siriane. Vende si Turqia, Iraku, Egjipti ku ndodhen pjesa më e madhe e refugjatëve sirianë duan mbështetje.

Në Mianmar duhet luftuar diskriminimi, sepse refugjatët rohingya nuk mund të kthehen nëse diskriminohen. Por refugjatët kanë të drejtë edhe të mos kthehen nëse nuk duan. Sidomos bëhet fjalë për refugjatët që jetojnë me dekada ose me breza të tërë në një vend, si përshembull ata afganë ose somalezë. Në këtë rast hyn në punë Pakti Global për refugjatët, për të vënë në përdorim burime të tjera.

 

Fraksion.com