Llixha me naftë në Azerbajxhan
E zhytur deri në fyt në lëngun e errët viskoz, Sulfia buzëqesh e kënaqur, me besimin se substanca do ta kurojë atë. Ajo është një ruse 60-vjeçare, që ka udhëtuar drejt qytetit veri-perëndimor të Azerbajxhanit, Naftalan, me shpresën se banjat në naftë të papërpunuar në një sanatorium lokal do t’i japin fund vuajtjeve të saj shumëvjeçare nga reumatizma.
Depozitat e mëdha të naftës në Azerbajxhan janë zbuluar në mesin e shekullit të 19 duke e bërë vendin që asokohe ishte pjesë e Perandorisë Ruse, një nga vendet e para në botë që nisi prodhimin komercial të naftës. Eksporti i naftës në tregjet e botës është një nga sektorët më të mëdhenj të ekonomisë së vendit, por nafta e papërpunuar që vjen nga rezervuarët në Naftalan, nuk është e përshtatshme për përdorim komercial.
Sidoqoftë, nafta lokale e gjen një përdorim, trajton sëmundjet muskulore, të lëkurës dhe kockave, si edhe problemet gjinekologjike dhe neurologjike.
Mjekja Fabil Azizova shprehet: “Legjenda e trajtimit me naftë në Naftalan është e tillë: në kohët e vjetra, kur karvanët udhëtonin këndej rrotull, kishte një gamile të sëmurë që nuk mund të ecte më dhe ajo u la këtu të vdiste. I gjithë trupi i saj ishte infektuar. Kur u kthyen, njerëzit e karvanit u habitën kur panë se gamilja ishte ende gjallë e madje shëdoshë e mirë. Ata filluan të pyesnin veten si gamilja ishte shëruar dhe kuptuan se kishte burime natyrore me efekte terapeutike”.
Fraksion.com