AktualitetBota+Të fundit

Laburistët në Angli kundërshtojnë ekstradimin e Julian Assange

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, nuk duhet të ekstradohet për shkak se zbuloi veprat e liga të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), tha kreu i Partisë Laburiste opozitare të Britanisë së Madhe.

“Ekstradimi i Julian Assange në SHBA për shkak të ekspozimit të provave të mizorive në Irak dhe Afganistan duhet të kundërshtohet nga qeveria britanike”, tha Jeremy Corbyn në rrjetin social Twitter disa orë pas arrestimit të Assange.

Assange u arrestua pasi Ambasada e Ekuadorit në Londër vendosi të dëbonte atë nga ndërtesa e saj të enjten, duke i dhënë fund qëndrimit të tij pothuajse shtatëvjeçar.

Policia britanike tha se ai u arrestua për shkak të shkeljes së kushteve të lirimit me kusht në vitin 2012 dhe në emër të SHBA-së për shkak të një urdhri për ekstradim.

Gjykata në Westminster dje e shpalli fajtor dhe i shqiptoi masën e paraburgimit për shkelje të lirimit me kusht.

Gjyqtari Michael Snow tha se Assange do të dënohet më 2 maj në Gjykatën Mbretërore Southwark, ndërsa, sipas raportimeve, ai tani përballet me një burgim deri në 12 muaj.

Në të njëjtën ditë, autoritetet britanike do të shqyrtojnë edhe kërkesën për ekstradim në SHBA.

Kryeministrja britanike Theresa May mirëpriti arrestimin, duke konfirmuar se Assange është “arrestuar gjithashtu në lidhje me kërkesën për ekstradim nga autoritetet e SHBA-së”.

Duke falënderuar policinë për “profesionalizmin e madh” dhe duke përshëndetur “bashkëpunimin e qeverisë ekuadoriane”, May gjatë një deklarate në Parlamentin britanik tha se arrestimi “tregon se në Britani askush nuk është mbi ligjin”.

Assange ka qëndruar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për gati shtatë vjet që kur kërkoi azil diplomatik në qershor të vitit 2012, pasi kërkohej nga prokurorët suedezë me akuza për abuzime seksuale.

Suedia ka rrëzuar akuzat kundër tij, por Assange mbeti sërish në ambasadë nga frika e ekstradimit në SHBA me akuzat për publikimin e dokumenteve të fshehta të qeverisë amerikane nga WikiLeaks.

Ai do të ekstradohej në Stokholm nga autoritetet britanike para se të hynte në ambasadë.

 

Fraksion.com