DW, Gjermania: Ballkani është detyrë e Evropës
Stabiliteti dhe zhvilimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi shumë të madhe për Gjermaninë. Këtë e theksoi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.
Seibert nuk pranoi të thoshte asgjë për pritshmëritë ndaj kësaj konference. „Programi nuk është ende gati”, tha ai duke shtuar se ky takim „është fryt i mëtejshëm i interesimit të thellë që kemi ne për zhvillimin pozitiv të Ballkanit Perëndimor.”
Interesimi i madh për rajonin
Si shprehje të këtij interesimi, Seibert kujtoi edhe procesin e Berlinit, në kuadër të të cilit sot po zhvillohet edhe një takim i ministrave të jashtëm në Varshavë. Aty merr pjesë edhe ministri gjerman i punëve të jashtme, Heiko Maas. Polonia do të jetë organizatore e takimit të ardhshëm në kuadër të procesit të Berlinit, që do të mbahet më 5 korrik. Procesi i Berlinit synon me nisma në sektorin e Ekonomisë, Transportit dhe Rinisë, që të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në takimin në fund të prillit në Berlin nuk do të ketë përfaqësues as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as nga Rusia, tha Seibert duke iu përgjigjur kështu pyetjes së Deutsche Welle-s.
I pyetur nga DW nëse është biseduar më pare edhe me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pjesëmarrje eventuale, Seibert përgjigjet: “Parimisht, gjendja në Ballkanin Perëndimor është herë pas here temë në bisedat tona me qeverinë amerikane. Por ne e ndiejmë si një detyrë në radhë të pare evropiane që ta çojmë këtë pjesë të Evropës në një të ardhme të qëndrueshme, demorkatike dhe me perspektivë evropiane.”
Kufijtë janë të (pa)prekshëm
Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovë, i cili është një nga kushtet e anëtarësimit të Serbisë në BE, konsiderohet i ngecur në vend, që nga vera e vitit të kaluar, kur presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Vuçiq dhe Thaçi, nisën të përhapin idenë e ndryshimit të kufijëve. Ndërsa në SHBA ka mendime që nuk e përjashtojnë marrëveshjen për ndryshimin e kufijëve, qeveria gjermane e konsideron atë tabu.
Një qëndrim që e kanë thuajse të gjitha partitë gjermane të përfaqësuara në Bundestag. Edhe eksperti i të Gjelbërve për Ballkanin, Emanuel Sarrazin, u shpreh në një deklaratë për shtyp, me rastin e anoncimit të konferencës së Ballkanit Perëndimor më 29 prill në Berlin, se “kufijtë në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë të paprekshëm”. Sarrazin pret që Konferenca e Ballkanit Perëndimor të mos “humbasë në retorikë”, por të dërgojë “mesazhe të qarta”.
Përveç mosndryshimit të kufijve në Ballkan, Sarrazin kërkoi edhe çeljen e negociatave të BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Zëdhënësi i qeverisë Seibert, i pyetur në konferencë për këto dy vende tha se kjo është kompetencë e Bashkimit Evropian dhe kjo varet nga plotësimi i kushteve të parapara. Në rastin e Shqipërisë ai tha se këtu hyn “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare”. Ai tha se vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progresraporti i Komisionit.