Dhoma amerikane, përmirësohet lehtë Indeksi i Biznesit
Indeksi i Biznesit të Dhomës amerikane të Tregtisë AmCham, për vitin 2018, një instrument që e ndihmon atë dhe anëtarët e saj të matin dhe të krahasojnë klimën e biznesit në vend me kalimin e kohës, shënoi një përmirësim të lehtë me 0.71 pikë krahasuar me një vit më parë duke u ngjitur në kuotën e 43.16 pikëve nga 100 të mundshme. Indeksi, i publikuar të enjten, mat fushat më të rëndësishme të ekonomisë që ndikuan anëtarët e AmCham në aktivitetin e tyre. Ata u janë përgjigjur pyetjeve lidhur me rrezikun politik, efikasitetin e politikave të taksave, perceptimin e korrupsionit, ekonominë informale, zbatimin e sundimit të ligjit dhe çështje të tjera që lidhen me ekonominë vendase.
Perceptimi i anëtarëve të Amcham për klimën e biznesit në 2018 u përmirësua me 1.98 pikë krahasuar me 2017. Pesë shqetësimet kryesore të raportuara nga të anketuarit për vitin 2018 janë: Monopoli dhe konkurrenca e pandershme; Gjetja e stafeve të kualifikuar vendase; Klima e brendshme politike; Niveli i përgjithshëm i taksave dhe Burokracia e qeverisë.
Perceptimet për “Klimën e brendshme politike (-3.02) dhe “Rendi dhe Siguria në Vend” (-4.93) kanë vazhduar të përkeqësohen edhe gjatë vitit 2018, duke rënë përkatësisht me 3.02 pikë dhe 4.93 pikë. Në përkeqësim me -3.9 pikë dhe perceptimi për “Monopolet dhe konkurrenca e pandershme”.
Ndërkohë që kanë shënuar përmirësim, krahasuar me një vit më parë, vlerësimi për “Reformat dhe Politikat ekonomike të Qeverisë” (+3.23), “Niveli i përgjithshëm i taksave” (+6.42), “Burokracia qeveritare” (+6.19), “Zbatimi i Ligjeve dhe Rregulloreve” (+3.23) si dhe “Niveli i ekonomisë Informale”. Shumica e të anketuarve kanë vazhduar të kenë një perceptim pozitiv apo neutral rreth lidhjes së tyre me autoritetet tatimore, autoritetet doganore dhe ministritë. Megjithatë, krahasuar me 2017, ky perceptim është përkeqësuar për autoritetet doganore (-2.36) dhe është përmirësuar për autoritetet tatimore (+1.46). Perceptimi për infrastrukturën dhe furnizimin me energji ka rënë gjatë vitit 2018.
Edhe pse anëtarët e AmCham-it kanë perceptuar një rënie në “Performancën e ekonomisë shqiptare” (-5.96) shumica dërrmuese e tyre kanë mbajtur, ose kanë rritur investimet dhe punësimin e tyre në vitin 2018 dhe synojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe më 2019. Pavarësisht nga qëllimi i tyre për të investuar, 34% e të anketuarve të AmCham deklaruan se për ta, ishte ende e vështirë për të financuar aktivitetin e tyre gjatë vitit 2018, duke vënë në dukje gjithashtu se “Politikat dhe Shërbimet bankare” ishin të pafavorshme për 31% të tyre.
Gjetja e stafit lokal të kualifikuar në vitin 2018 është raportuar të jetë e vështirë ose shumë e vështirë për shumicën e kompanive përgjegjëse (65%) duke treguar një tendencë në rënie të këtij treguesi për të pestin vit radhazi duke u bërë shqetësimi i dytë më i rëndësishëm për anëtarët e Amcham.
Në përshëndetjen e saj në hyrje të publikimit të Indkesit të Biznesit, e Ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë Leyla Moses-Ones shprehet se “vërej se anëtarët përmendën korrupsionin, konkurrencën e padrejtë dhe ekonominë informale si shqetësimet kryesore në raportin e këtij viti. Jam e bindur se zbatimi i reformës gjyqësore, do të ndihmojë në krijimin e një klime të drejtë dhe të parashikueshme biznesi, pa korrupsion, që do të frymëzojë më shumë kompani amerikane për të investuar në Shqipëri, duke e rritur Indeksin në nivele më të larta në vitet e ardhshme./VOA
Fraksion.com