Merkel dhe Macron ftojnë liderët e Ballkanit në Berlin
Më datën 29 prill zhvillohet në Berlin një takim me liderët e Ballkanit. Nismëtarë janë Franca dhe Gjermania. Ballkani është në qendër edhe të vizitës së ministrit gjerman të punëve të Jashtme Heiko Maas në Varshavë.
Sipas zëdhënësit, kancelarja gjermane dhe presidenti Macron, i japin një rëndësi të madhe stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit. Në qendër të bisedës do të jenë sfidat e veçanta të rajonit, e sidomos në lidhje me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, citon zëdhënësin, agjencia e lajmeve, dpa.
Ndërkohë edhe ministri gjerman i punëve të Jashtme, Heiko Maas, viziton të enjten Varshavën për të diskutuar për Ballkanin Perëndimor, bëhet e ditur nga Ministria gjermane e Punëve të Jashtme.
Polonia do të jetë organizatore e takimit të ardhshëm në kuadër të procesit të Berlinit, që do të mbahet më 5 korrik. Procesi i Berlinit synon me nisma në sektorin e Ekonomisë, Transportit dhe Rinisë që të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Fraksion.com