AktualitetPolitikëTë fundit

Kuvendi: Betohen sot 3 deputetë të rinj; FRPD proteston

Janë betuar sot tre deputetët e rinj në Kuvend, si kusht për të ushtruar mandatin e  tyre, pas vakancës së krijuar nga opozita, PD dhe LSI.

Bëhet fjalë për deputetët Korab Lita, i cili vjen nga Partia Demokratike, Qarku Tiranë.  Lita ishte i 21-i në listën e deputetëve të PD për Tiranën dhe zëvendëson ish-deputetin Dashamir Shehi.

Deputeti i dytë, Arlind Çarçani vjen nga radhët e PD. Ai ka qenë në listën e kandidatëve për deputet në Qarkun Korçë. Deputeti i tretë që u betua sot në Kuvend është Halil Jakini , që vjen nga radhët e PD-së, qarku Dibër.  Totali i deputetëve në Kuvend shkon në 102.

Ndërkohë që zhvillohet seanca parlamentare, opozita nuk ka qëndruar duarkryq.

Të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike janë vendosur para parlamentit me pankarta e banderola kundër qeverisë.

Nuk mungonte edhe një stendë me mbishkrimin ‘parlamenti i krimit’, ku të rinjtë ‘shisnin’ mandate.

“Një mandat 300 mijë euro, hajde mandate. Tre mandate 1 mln euro! Hajde mandate se u mbush, hajde mandate se u mbush parlamenti”, thërrisnin të rinjtë e FRPD.

 

Fraksion.com