Grabitja e Rinasit, Basha: Kanë dalë në dritë prova tronditëse
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha doli sot para mediave ku foli sërish për grabitjen e dy ditëve më parë në Rinas. Basha tha se ngjarja tregoi dështimin e policisë dhe rënien e shtetit para krimit, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se mendon si të vjedhë Shqipërinë me oligarkët.
Basha e cilësoi grabitjen pjesë të së tërës që po ndodh në vend.
“48 orë pas tronditjes së Shqipërisë dhe të mbarë botës nga grabitja e armatosur në Rinas, pyetjet janë shtuar dhe përgjigjet mungojnë. Rama po mundohet që dështimin e policisë dhe qeverisë dhe rënien e shtetit para krimit t’ia faturojë një kompanie private. Si për çdo gjë tjetër fajin e ka të tjerët. Ai as që e vret mendjen. Mendja e tij është si të vjedhë dhe grabisë Shqipërinë me oligarkët. Ngjarja e Rinasit jo e shkëputur dhe as e vetmja.”, deklaroi Basha.
“Pjesë e zhvillimeve në gjithë Shqipërinë, pjesë e rrëmbimeve në Vlorë, grabitjet me armë të bizneseve, postave, vrasjet dhe rrëmbimet e bankierëve kanë filluar me instalimin e Edi Ramës në pushtet. Në Shqipëri ligjin e bën krimi. Përgjegjës për sigurinë në Rinas dhe kudo është qeveria dhe shteti shqiptar dhe jo kompania. Në bordin e Autoriteti Civil është vetë ministri i Brendshëm, por ministri nuk ka qëllim që të mbrojë vendin dhe qytetarët nga kriminelët. Vetë Edi Rama ka pranuar publikisht se bandat luftojnë brenda qyteteve.
Zonja dhe zotërinj në 48 orë pas ngjarjes kanë dalë fakte tronditëse në skenë. Ngjarja mund e duhej të ishte parandaluar, nëse do të zbatohej urdhri i Ministrit të Brendshëm, 5 gusht 2018, nr.130 që kërkon që Policia e Shtetit të shoqërojë e ruajë transportimin e vlerave monetare, e të garantohet nga policia shënimi i çdo ngarkese me para. Sandër Lleshaj në deklaratë i bëri bisht një fakti të rëndësishëm, nuk dha përgjigje. Admir Murataj asnjëherë nuk u kap dhe pse ishte në kërkim dhe kreu katër grabitje brenda tre vitesh”, shtoi Basha.
Fraksion.com