Cakaj: Sjellja e opozitës nuk zhbën progresin e dokumentuar nga BE për integrimin
“Sjellja e opozitës që është në funksion të polarizimit politik, nuk i kontribuon procesit dinamik të reformave në shërbim të rrugëtimit europian”, deklaroi dje ministri në detyrë për Europën dhe Punët e jashtme, Gent Cakaj.
I ftuar në studion e ERTV-së Cakaj u shpreh se “procesi i integrimit europian është një interes kombëtar dhe jo një interes partiak, ndaj kërkon sjelljen e përgjegjshme nga secili aktor politik”.
Por, sipas tij, “asnjë sjellje polarizuese dhe asnjë qasje anti-institucionale nuk mund të vënë në pikëpyetje progresin e Shqipërisë dhe përmbushjen e kushteve të paraqitura në konkluzionet e Këshillit të Europës, pasi ato dokumentohen nga institucionet më të larta të BE-së”.
“Ajo që është realitet faktik i dokumentuar nga Komisioni Europian nuk mund të zhbëhet nga perceptimi momental i politikës ditore. Sfida është vazhdimi i axhendës progresive të reformave, duke filluar nga kompletimi i Gjykatës Kushtetuese dhe kalimi i reformës elektorale, që në fakt përmbyll edhe trajektoren e kushteve për hapjen e negociatave. Axhenda progresive do të mbizotërojë mbi çdo qasje që nuk është në funksion të axhendës europiane”, shtoi Cakaj.
Shqipëria, tha Cakaj, ka nevojë për zhvillimin e dy dialogjeve politike. “Dialogun e unifikuar me vendet anëtare të BE-së që mund të kenë rezerva për zgjerimin e BE-së dhe dialogun e brendshëm për të ruajtur unitetin dhe komunikuar mesazhin e duhur, për reformat institucionale në Shqipëri”, tha ai.
Fraksion.com