Vëllai i Admir Murataj: Do i gjejmë vetë shokët që e hodhën në rrugë
Vëllai i Admir Murataj, ka folur nga morgu pas identifikimit të kufomës të të dyshuarit si një nga autorët e supergrabitjes së pasdites së kësaj të marte në aeroportin e Rinasit, ku u morën rreth 10 milionë euro.
Ai ka thënë se kishte afro dy vite pa komunikuar të vëllanë dhe se nuk ka dijeni mbi ngjarjen.
Po ashtu ka deklaruar se lajmin e ka mësuar nga mediat, ndërsa shtoi se familjarët nuk njohin asnjë nga shokët e tij.
“Do i shohim kush janë shokët, ata që e lanë në rrugë. U tha se Admiri ishte organizatori, por organizator nuk vritet. Tani na intereson të shohim se çfarë ndodhi. Do e shohim sa organizator është, ai ka qenë vegël, ta shohim”, është shprehur Cen Murataj.
Ai tha se do i gjejnë vetë shokët e Admirit dhe nëse nuk i gjen policia, do i gjejnë me mënyrat e tyre.
I pyetur nëse u vra nga policia apo nga shokët, deklaroi se nuk dinë asgjë të saktë, por ajo që dinë është se e kanë hedhur shokët e tij.
Paraditen e sotme u konfirmua se personi i vrarë pas grabitjes së kësaj të marte në aeroportin e Rinasit, është Admir Murataj.
Bashkëshortja e tij shkoi në morgun e Tiranës, ku pasi pa kufomën, konfirmoi se viktima është i shoqi.
Gruaja u shoqërua në morg nga vëllai i të shoqit, por vetëm ajo është lejuar të përballet me trupin e pajetë. Pas identifikimit të kufomës, familjarët e pranishëm në morg, kanë shpërthyer në lot.
Identiteti është verifikuar edhe nga shenjat e gishtërinjve dhe paraqitja fizike.
Tashmë pritet të dalin analizat e ADN-së, për të konfirmuar 100% identitetin e viktimës, por përgjigja e tyre kërkon disa ditë.
Murataj rezulton se është arratisur në vitin 2013 nga burgu i Trikalasë në Greqi.
Ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia helene, i dyshuar për plagosje, vrasje dhe grabitje. Nga pamjet që qarkulluan lidhur me viktimën e përplasjes së djeshme, viktima u etiketua si tullac, kur në fakt rezultoi se kishte përdorur një maskë silikoni.
Grabitja e parave ndodhi rreth orës 15.00 të kësaj të marte në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me tre persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.
Grabitësit kanë hipur në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.
Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve mbeti i vrarë me një plumb në kokë, dyshohet Murataj, ndërsa të tjerët u zhdukën.
Policia gjeti duke djegur një mjet në zonën e Kamzës pak pas ngjarjes, ndërsa mëngjesin e kësaj të mërkure në zonën e Tapizës u gjet i djegur një furgon, i cili dyshohet të jetë ai i përdorur për grabitjen, brenda së cilit janë gjetur armë dhe granata.
Fraksion.com