AktualitetTë fundit

Supervjedhja: Zbardhet dinamika dhe skema e grabitjes; Autorët vepruan për 90 sekonda në pistën e aeroportit

Një ditë pas grabitjes spektakolare, ku u morën miliona euro është zbardhur dinamika dhe ndërtuar skema që kanë ndjekur autorët për të hyrë  në pistën e avionit.  Për 90 sekonda autorët kanë hyrë të pa shqetësuar në pistën e aeroportit dhe nën kërcënimin e armëve kanë marrë paratë në bordin e avionit, nga ku janë larguar në drejtim të Tapizës. Autorët u përplasën me policinë, nga ku mbeti i vdekur dhe Admir Murataj.

Një ditë pas grabitjes spektakolare të miliona eurove në aeroportin e Rinasit policia ka zbardhur dinamikën duke rindërtuar skemën sesi autorët kanë hyrë në pistën e avionëve.

Grupi i armatosur duke lëvizur me furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” ka hyrë nga porta metalike që shërbente për kalimin e zjarrfikësve, ku kanë spostuar një bllok betoni që përdorej si mbrojtëse dhe më pas kanë prerë zinxhirin dhe kanë hyrë lehtësisht në pistën e fluturimit, ku ndodhej dhe avioni që do transportoheshin paratë, nga Tirana në Vjenë.

Furgoni ka ecur në pistë derisa është afruar pranë bordit të avionit. Më pas autorët të veshur si komando brenda 90 sekondave kanë marrë thasët me para nën kërcënimin e armëve dhe kanë dalë pikërisht nga kjo derë këtu, për të vazhduar më pas në drejtim të Tapizës.

Super-vjedhja ka ndodhur në momentin që po ndërroheshin dhe turnet e stafit të aeroportit.

Punonjësit e sigurisë së aeroportit kanë njoftuar Policinë dhe patrulla më e afërt është vënë në ndjekje të fugonit të grabitësve duke shkëmbyer zjarr me ta pas 950 metrash ndjekje pranë urës së Tapizës, ku mbeti dhe i vdekur Admir Murataj.

Nga të dhënat e para nga grupi hetimor, dyshohet se tre grabitësit e tjerë janë larguar me dy mjete.

Dy prej grabitësve u larguan me makinën që u gjet nga policia e djegur në Bathore dhe një tjetër grabitës është larguar me një furgon të gjetur në zonën e Tapizës.

Vendi ku ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit është zonë e banuar, ndërsa banorët shprehen se janë tmerruar nga të shtënat me armë.

“Nuk na linin plumbat me shku te dritarja me pa”.

Edhe gjatë të mërkurës grupi hetimor ka zbarkuar në vendin e ngjarjes për të kryer kontrolle me anë të një pajisjeje, për gjetjen e gëzhojave dhe provave të tjera.

 

Fraksion.com