SHBA-Egjipt, Presidenti Trump vlerëson homologun Al-Sisi
Presidenti i SHBA Donald Trump e vlerësoi homologun e tij egjiptian Abdel Fattah al-Sisi si një “president i madh”, pavarësisht shqetësimeve të ligjvënësve amerikanë lidhur me qëndrimet e tij rreth të drejtave të njeriut dhe planet e tij për blerjen e armëve ruse.
Parlamenti i Egjiptit ka propozuar reforma kushtetuese që synojnë ta lejojnë Al-Sisin të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2034, një hap i kritikuar nga ligjvënësit e SHBA dhe grupet e të drejtave, të cilët gjithashtu janë të shqetësuar nga shtypja e të drejtat e njeriut në Egjipt.
I pyetur nëse i mbështet përpjekjet për të lejuar Sisin të qëndrojë në pushtet edhe për 15 vjet, Presidenti Trump u tha gazetarëve: “Unë mendoj se ai është duke bërë një punë të shkëlqyer. Nuk di për përpjekjen, vetëm mund t’ju them se po bën një punë të madhe … president i shkëlqyer”.
Sisi, ish-gjeneral, erdhi në pushtet pasi ushtria rrëzoi presidentin islamik Mohammed Morsi në vitin 2013 pas protestave masive kundër sundimit të tij. Sisi u zgjodh president vitin pasardhës.
Egjipti, vendi më i populluar i botës arabe, është me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara për shkak të marrëveshjes së tij të paqes me Izraelin dhe kontrollin e tij mbi Kanalin e Suezit, një rrugë ujore jetike për tregtinë globale dhe ushtrinë amerikane.
Kongresi i SHBA ka caktuar 1.4 miliardë dollarë ndihmë dypalëshe për Egjiptin në vitin aktual fiskal, një shumë e njëjtë e dhënë vitin e kaluar, sipas një raporti të Kongresit.
Ndërsa vazhdon të ekzistojë mbështetje për t’i dhënë ndihmë Egjiptit, disa anëtarë të Kongresit kanë shprehur shqetësime të thella për njoftimet se qeveria egjiptiane ka arritur një marrëveshje prej 2 miliardë dollarësh me Rusinë për të blerë më shumë se 20 avionë luftarakë Suhoi SU-35 dhe armatime për këta avionë.
Në një letër të publikuar të hënën, disa senatorë me peshë thanë gjithashtu se Egjipti kishte “arrestuar padrejtësisht më shumë se dhjetë amerikanë”. Senatorët bënë thirrje për lirimin e tyre dhe ngritën “shqetësime serioze rreth shkeljes së të drejtave politike dhe njerëzore” në Egjipt.
Letra drejtuar sekretarit të shtetit Mike Pompeo, u nënshkrua nga kryetari republikan i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Jim Risch, senatori i lartë i komisionit, Bob Menendez, si dhe 15 senatorë të tjerë.
“Ne jemi të shqetësuar (rreth) thellimit të marrëdhënieve tyre me Rusinë, që përfshin gjithashtu huanë që Moska ka dhënë për të ndërtuar centralin bërthamor në Dabaa”, thuhej në letër, duke iu referuar një centrali prej 4,800 megavat që parashikohet të vihet në funksionim më 2026.
Senatorët i bënë thirrje zotit Pompeo që t’i kërkojë zotit Sisi “të rishikojë këto vendime, të cilat rrezikojnë ta fusin sërish vendin e tij në varësinë ruse”.