Presidenti Trump po shqyrton rivendosjen e ndarjes së fëmijëve të imigrantëve nga familjet
Presidenti Donald Trump po përgatitet për një politikë më të ashpër imigracioni pasi la papritur të largohej Sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen të dielën. Zyrtarët amerikanë thonë se kriza e imigracionit është përkeqësuar në javët e fundit, dhe presidenti Trump thuhet se po shqyrton rivendosjen e politikës ndarjes së fëmijëve të imigrantëve nga familjet e tyre, e cila ka ngjallur mjaft reagime të pafavorshme për administratën.
Megjithë politikat e linjës së ashpër të administratës Trump, migrantët që ikin nga varfëria dhe krimi në Guatemalë, El Salvador dhe Honduras vazhdojnë të udhëtojnë nëpër Meksikë në përpjekje për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Vetëm në shkurt, rreth 76,000 individë, kryesisht familje, u kapën në kufirin jugperëndimor.
Presidenti Donald Trump, i cili bëri fushatë për forcimin e sigurisë në kufi, nisi të irritohej gjithnjë e më shumë me Sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kirsten Nielsen dhe e shkarkoi atë të dielën. Zonja Nielsen komentoi kështu të hënën:
“Ndaj synimin e presidentit për sigurimin e kufirit. Do të vazhdoj të mbështes të gjitha përpjekjet për të adresuar krizën humanitare dhe të sigurisë në kufi “.
Presidenti Trump emëroi komisionerin e tanishëm të Doganave dhe Mbrojtjen e Kufijve Kevin McAleenan si zyrtarin e ngarkuar për të zëvendësuar zonjën Nielsen dhe duket se po përgatitet për një qëndrim edhe më të ashpër mbi imigracionin.
Të hënën, Shtëpia e Bardhë nuk përjashtoi mundësinë që presidenti Trump të rivendosë politikën e ndarjes së fëmijëve të emigrantëve nga familjet e tyre në kufi.
“Ju e dini se Presidenti ka thënë se nuk e pëlqen praktikën e ndarjes së familjeve. Është një praktikë e tmerrshme. Por Kongresi ka një mënyrë për ta ndrequr atë në mënyrë që të mos jetë si një magnet për njerëzit që të vijnë këtu dhe përdorin fëmijët për ta bërë këtë”, tha Hogan Gidley, zëvendës sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Ndarja e familjeve u zbatua nga prilli deri në qershor të vitit të kaluar dhe u shfuqizua me një vendim gjyqësor. Praktika shkaktoi një zemërim masiv publik dhe nuk uli numrin e imigrantëve.
“Në të vërtetë, po vijnë më shumë individë. Mendoj se administrata po përpiqet të gjejë mënyra për të penguar imigrantët, por problemi është se parandalimi nuk adreson kushtet në vendet nga ata vijnë, për shembull nuk trajton dhunën, varfërinë dhe faktin se shumë nga këta individë thjesht nuk kanë asnjë mundësi tjetër “, thotë Cristobal Ramon, me Qendrën për Politika Dypartiake.
Trump vazhdon të fajësojë demokratët e opozitës, të cilët po sfidojnë deklaratën e tij të emergjencës kombëtare në kufi.
“Për fat të keq, demokratët kanë refuzuar të mbyllin hendekun në ligjin e imigracionit. Ky është thelbi i të gjithë kësaj”.
Të enjten e kaluar, presidenti Trump duket se ndryshoi mendim për mbylljen e kufirit jugor dhe lavdëroi Meksikën që po bën më shumë për të ndaluar rrjedhën e imigrantëve. Por në fund të javës, ai po i drejtonte ndihmësit e tij të ndërmarrin hapa më të ashpë për të trajtuar problemin dhe thuhet se po shqyrton shkarkimin e më shumë zyrtarëve./VOA
Fraksion.com