Gjermanët organizojnë ballafaqimin Haradinaj -Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, e ka konfirmuar sot në një konferencë për media se do të udhëtojë për në Berlin, që të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ky takim i presidentit serb me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, do të ndodh për herë të parë në historinë e dy emrave si politikanë.
Presidenti serb ka treguar se ky takim është caktuar që të mbahet me 29 prill, dhe në të do të jetë e ftuar edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, shkruan B92, transmeton Gazeta Express.
Se presidenti Hashim Thaçi ka marrë ftesë për këtë takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin gjerman e ka konfirmuar edhe këshilltari i presidentit, Bekim Çollaku.
“Po e konfirmoj pranimin e ftesës për Presidentin e Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Berlin me 29 prill”, ka thënë Çollaku për Gazetën Express.
Ky takim është bërë me inicimin e Francës dhe Gjermanisë, dhe Vuçiq ka konfirmuar se e kanë pranuar këtë ftesë.
Në intervista të mëparshme Vuçiq vazhdimisht kishte deklaruar që shumë shpejtë do të kishte një përfshirje të Francës dhe Gjermanisë në çështjen e zgjidhjes së problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse nuk kishte dhënë detaje për një gjë të tillë.
Ky takim i ftuar nga dy shtetet e fuqishme evropiane me siguri do të jetë për të diskutuar rreth situatës aktuale dhe bllokimit të dialogut dhe gjetjes së një gjuhe të përbashkët për të ecur përpara./GazetaExpress
Fraksion.com