Basha: Emergjencë kombëtare; Shteti ka rënë
Kryetari i PD-së Lulzim Basha akuzon policinë se është në luftë kundër popullit dhe njerëzve të pafajshëm dhe jo krimin.
“Dje policia hyri nëpër banesa dhe hodhi gaz lotsjellës brenda shtëpive. Nga përplasja mes banorëve në mbrojtje të shtëpive të tyre, tre qytetarë përfunduan në spital. Policia po përdoret për një qëllim: luftën kundër popullit dhe njerëzve të pafajshëm. Ndëkrohë që nuk ka asnjë përpjekje për të luftuar krimin. Kur kryhet grabitje me armë në mes të ditës të avionit të linjës ndërkombëtare e kuptoni në çfarë niveli është policia” u shpreh Basha në një dalje për median.
E gjitha kjo sipas bashës, ndodh sepse qeveria ka bërë pakt me krimin. Ai ftoi shqiptarët në protestën e 13 Prillit për t’i dhënë fund këtyre lidhjeve. Basha tha ndër të tjera se vendi sot është në emergjencë kombëtare.
“Vrasje, tritoli dhe grabitjet me armë po trondisin sigurinë mes qyteteve tona. Kur në Rinas që është zona me sigurinë më të lartë grabitet avioni i linjës ndërkombëtare në mes të ditës, çdo kush e kupton se në çfarë niveli është policia e në çfarë niveli është katandisur siguria. Kjo ndodh se shteti ka rënë. Arsyeja kryesore e rënies së shtetit është pakti mes krimit dhe qeverisë ilegjitime. Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare, ndaj protestojmë të shtunën”, tha Basha.
Fraksion.com