Vlorë: Si ju vendos bomba e komanduar zyrës së përkthimit, flet i biri i… (VIDEO)
Qytetarët e Vlorës që jetojnë në zonën ku ndodhet Gjykata e qyteti bregdetar përjetuan panik ditën djeshme, pasi një pako me eksploziv u gjet në një zyrë përkthimi.
Policia e Vlorë vendosi në kohë perimetrin e sigurisë në godinën, e cila ndodhet në një zonë shumë të populluar për shkak edhe të punimeve përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë, që e kanë kthyer atë në një prej dy akseve me numrin më të madh të automjeteve që qarkullojnë.
Lënda shpërthyese ishte montuar në derën e zyrës së përkthimit, në pronësi të Eleni dhe Orest Zhupa, nënë e bir. Ajo ndodhet në katin e dytë të një ndërtese, ku ka edhe shumë zyra noterie e përkthimi.
Lënda eksplozive u gjet rreth orës dy të drekës dhe vetëm në 17:30 në Vlorë mbërritën forcat xheniere nga Tirana, të cilët bënë çaktivizimin.
Eksplozivi i gjetur, është i dyti i çaktivizuar nga xhenierët në Vlorë në pak ditë dhe mësohet se është marrë në Tiranë për ekspertizë. Bëhet fjalë për 200 gramë eksploziv të mbështjellë në një pako, e cila ishte e lidhur me një telefon, e gatshme për t’u shpërthyer në distancë.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë përreth zonës, ndërsa janë shoqëruar disa persona, kryesisht punonjës të zyrave pranë, por edhe pronarin e ndërtesës ku operojnë bizneset A.Bajramaj, me shpresën se mund të ndihmojnë në hetimin e ngjarjes.
Gjatë marrjes në pyetje Orest Zhupa është shfaqur i qetë, ndërsa i ka mëshuar me se shumti faktit se nuk ka qene ai apo nëna e tij Eleni Zhupa objektivi.
Sipas tij lënda shpërthyese mund të jetë vendosur edhe për ndonjë prej bizneseve të tjera në godinën dy katëshe.
“S’kam patur asnjë konflikt, nuk e di nëse lënda ka qenë për mua apo për tjetër person pasi atje ka një serë zyrash. Nuk e di nëse ka qenë një lajmërim për mua pasi unë s’kam konflikte me asnjë njeri”, ka thënë ai.
Oresti ka treguar gjithashtu se makina e tij rri vazhdimisht e parkuar përpara punës, ndërsa zyra e përkthimeve sipas tij ishte e mbyllur për shkak të pushimit të drekës.
Gjithçka ka deklaruar Zhupa në Polici nuk e ndihmon hetimin, por policia pas demontimit ka sekuestruar bombën me telekomandë me shpresën e gjetjes se gjurmëve të gishtave nga ekzaminimi daktilografik./shqip
Fraksion.com