AktualitetTë fundit

Solli 613 kg kokainë fshehur në banane: Arbër Çekaj kërkon azil politik në Gjermani

Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbri Garden”, në kontejnerët me banane të së cilës u zbuluan 613 kg kokainë e ardhur nga Amerika Latine në Durrës, prej disa muajsh ndodhet i arrestuar në Gjermani.

Edhe pse akuzohet si një nga protagonistët e grupit kriminal që futi kokainën ekuadoriane në Shqipëri, Arbër Çekaj duket se beson se është i pafajshëm pasi ka kërkuar azil politik në Gjermani për t’iu shmangur ekstradimit në Shqipëri.

Kërkesa e pronarit të kompanisë me seli në Maminas që kreu porosinë për banane në Ekuador është duke u shqyrtuar nga Gjykata e Essen në Gjermani.

Ndërkohë kujtojmë se Çekaj u arrestua me kërkesë të Shqipërisë, por dyshohet se angazhimi i Gjermanisë në çështjen e tij ka qenë maksimal, pasi ka dyshime për lidhje midis dy episodeve të trafikut të drogës nga Ekuadori nëpërmjet kontenierëve me banane.

Një është ai i Arbër Çekajt dhe tjetri lidhet me aksionin të zhvilluar më 14 maj 2018, në zonën e Bavarisë, ku policia e këtij shteti sekuestroi 1.8 ton kokainë të fshehur brenda në banane.

“Është një prej sukseseve më spektakolare në luftën me mafian e narkotikëve në historinë e Republikës Federale Gjermane”, deklaroi asokohe Ministri i Brendshëm Joachim Herrmann.

Ministri gjerman theksoi se “qëllimi është gjithashtu të zbulojmë strukturat organizative të autorëve”. Nga hetimet e nisura në Prill 2017 policia Gjermane arriti të zbulojë rrolet e gjithsecilit në këtë trafik kokaine e cila vinte nga Ekuadori e fshehur në kuti bananesh dhe është e njëjta skemë me atë të kokainës së kapur në kompaninë “Arbri Garden”.

Nga Prokuroria shqiptare para disa kohësh dolën informacione, sipas të cilave Çekaj është marrë disa herë në pyetje nga Drejtësia Gjermane, dhe besohet se ai ka vendosur të bashkëpunojë me autoritet në këmbim të mbrojtjes së jetës në Gjermani, duke treguar atë çfarë di, në këtë trafik ndërkombëtar të kokainës.

Si pasojë e bashkëpunimit me Gjermanët, drejtësia e këtij shteti vendosi të refuzojë dhe ekstradimin e tij në Shqipëri, pasi siç dihet në vendin tonë Çekaj po ndiqet penalisht së bashku me dy persona të tjerë për “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Në dëshminë e tij, Çekaj besohet se ka nxjerrë disa emra biznesmenësh-bashkëpunëtorë të tij në trafikun e kokainës.

 

Fraksion.com