Shahini: 2.3 miliardë lekë, paketa financiare në mbështetje të studentëve
Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini, deklaroi sot se “paketa financiare për studentët që përfshin disa elementë si përgjysmimin e tarifës dhe dhënien e bursave për ekselentët dhe kategoritë në nevojë ka vlerën e 2.3 miliardë lekë”.
Në seancën dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për çështjet që lidhen me arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë, ministrja Shahini theksoi se “ndarja e bursave ka filluar në janar. Muaji i parë ishte i ngadalshëm se ka shumë punë në Sekretaritë e Universiteteve dhe fakte të ndryshme për të mbledhur informacion për çdo student, pasi bëjnë kalkulimin e mesatareve dhe për të parë dokumentacionin nëse studenti i përket kategorisë që përfiton”.
“Muaji janar dhe shkurt ka pasur ngadalësime në procesin e ndarjes së bursave, tani është stabilizuar situata dhe jemi shumë më mirë në ndarjen e bursave”, – tha Shahini.
Ministrja Shahini i ftoi studentët që nuk i kanë marrë bursat që u takojnë dhe një pjesë e tyre që ende nuk kanë hapur llogaritë bankare, të shkojnë sa më shpejt në Sekretaritë e Universiteteve apo Fakulteteve për të parë nëse janë përfitues të bursës që u takon.
Ministrja u shpreh gjithashtu se “më 18 prill bëhen 3 muaj nga lançimi zyrtar i Paktit për Universitetin. Pakti nisi si një draft dokument i ofertës që qeveria e solli në publik si përgjigje të kërkesave të studentëve nga protesta e studentëve në dhjetor 2018. Studentët ngritën shumë çështje, por një nga ato që u artikulua më qartë ishte se ne paguajmë më shumë për cilësinë që marrim”.
“Këtë pjesë e morëm shumë seriozisht dhe vendosëm ti dalim në ndihmë dhe të ofrojmë një pako financiare, e cila ka disa elemente: përgjysmimin e tarifës për të gjithë studentët që janë në ciklin e parë të studimeve me mesatare 9-10, si dhe studentët që janë kategori në nevojë, ose me asistencë ekonomike apo me nevoja të veçanta sipas përcaktimeve të Ministrisë së Shëndetësisë”, nënvizoi Shahini.
Ministrja tha se “kemi ndarë edhe bursa 10 mijë lekë të reja për studentët ekselentë dhe ata në nevojë. Për studentët e ciklit të dytë ka përgjysmim tarife, për ata që janë ekselentë dhe për ata që janë në nevojë”
Fraksion.com