AktualitetOp-EdTë fundit

Lëvizjet për Pavarësi: A është Kosova një histori suksesi?

Kosova është një shembull suksesi, megjithëse ende jo i plotë, i lëvizjeve për pavarësi, u tha në një diskutim në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Në diskutimin e zhvilluar të premten në Uashington, ku u publikua studimi i përmbledhur në librin “Lëvizjet për Pavarësi dhe Pasojat e Tyre”, analistët theksuan se Kosova arriti me sukses të bëhej e pavarur me ndihmën e fuqive të mëdha. Megjithatë, sipas tyre, suksesi i Kosovës nuk është i plotë sepse ajo ende ndeshet me sfida të mëdha ekonomike dhe politike. Kolegu Festim Gashi sjell hollësitë:

Që nga viti 1945 ka patur 464 lëvizje për vetëvendosje në 120 vende, pa përfshirë lëvizjet e dekolonializimit, sipas një studim të Universitetit të Pensilvanisë të cituar nga Denise Natali, Ndihmës Sekretare në Byronë e Konflikteve dhe Operacioneve të Stabilizimit në Departamentin e Shtetit. Sipas studimit, vetëm gjysma e këtyre lëvizjeve kanë ndjekur një politikë specifike dhe mesatarisht përpjekjet e tyre zgjasin rreth 30 vjet para se ato të bëhen jo aktive.

“Dhe vetëm një grup i vogël ka arritur qëllimin për pavarësinë. Një numër i tyre kanë rezultuar nga dhuna dhe shpesh nga luftërat e gjata civile. Për këto lëvizje, të dhënat tregojnë se ato kanë hasur në shumë vështirësi në arritjen e rezultateve pozitive si vende të pavarura”.

Një nga këta shembuj suksesi, sipas autorëve të një studimi të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, është Kosova. Në studimin e përmbledhur në librin Lëvizjet për Pavarësi dhe Pasojat e Tyre, thuhet se një nga arsyet e suksesit të Kosovës është mbështetja që ajo kishte nga fuqitë e mëdha.

“Kosova ka patur shumë mbështetje ndërkombëtare. Megjithëse Kosova nuk është anëtarësuar në OKB-së, ajo ka përfituar nga qëllimet pozitive të vendeve të ndryshme nga Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe rajone të tjera të botës. Dhe unë mendoj se një shtet i ri i pavarur ka më shumë gjasa të ketë përparim në një botë, në të cilën ka shumë aleatë dhe vende tek të cilat mund të mbështetet”, tha për Zërin e Amerikës Jon B. Alterman, një nga autorët e studimit.

Por, Kosova nuk është një histori e plotë suksesi, thotë Daniel Serwer, autori i kapitullit të studimit për Kosovën. Ai thotë se Kosova është një histori suksesi në progres, sepse ajo ka ende shumë probleme të cilat duhet t’i trajtojë në një të ardhme të afërt:

“Ajo (Kosova) ka disa probleme me mungesën e rendit në parlament dhe ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe me pavarësinë e gjyqësorit. Por, këto probleme të mëdha janë të pranishme në të gjithë Ballkanin. Kosova ka një rrugë të gjatë përpara. Kohëve të fundit, ajo ka bërë disa hapa të mëdha mbrapa me vendosjen tarifave ndaj Serbisë, ka ofenduar aleatin e saj Amerikën. Kosova ndeshet me probleme të shumta, por këto janë problem të një shteti sovran. Megjithëse, mua nuk më pëlqejnë tarifat, unë e kuptojë dëshirën e Kryeministrit për të ushtruar fuqinë e sovranitetit”, – thotë zoti Serwer.

Në studimin e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare të përmbledhur në librin "Lëvizjet për Pavarësi dhe Pasojat e Tyre", thuhet se një nga arsyet e suksesit të Kosovës është mbështetja që ajo kishte nga fuqitë e mëdha.
Në studimin e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare të përmbledhur në librin “Lëvizjet për Pavarësi dhe Pasojat e Tyre”, thuhet se një nga arsyet e suksesit të Kosovës është mbështetja që ajo kishte nga fuqitë e mëdha.

Studimi i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thekson rëndësinë e anëtarësimit të vendeve të reja të pavarura në institucionet dhe organziatat ndërkombëtare si OKB-ja, sepse ato ofrojnë qasje në programet e zhvillimit ekonomik dhe institucional. Kosova, megjithëse është pranuar nga 116 vende të botës, ende nuk është anëtare e OKB-së dhe nuk e ka konsoliduar plotësisht statusin e saj në arenën ndërkombëtare. Lidhur me këtë çështje, analisti Daniel Serwer thotë se anëtarësimi i Kosovës në OKB është ende i largët dhe se njohja nga Serbia është më e rëndësishme për momentin:

“Mendoj se për Kosovën është e rëndësishme që të pranohet nga Serbia dhe t’i japë fund fushatës serbe kundër anëtarësimit në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Por, anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia, por nga Rusia. Për anëtarësimin e Kosovës në OKB, do të duhet një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe unë mendoj se kjo nuk mund të arrihet tani. Anëtarësimi i Kosovës në OKB është shumë i rëndësishëm, por nuk e shoh në horizont në këtë moment. Atë që unë do të dëshiroja të shihja është një marrëdhënie diplomatike mes Serbisë dhe Kosovës, një dhënie fund e fushatës ndërkombëtare të Serbisë kundër Kosovës, por nuk mendoj se do mund të shohim anëtarësim të Prishtinës në OKB në një ose dy vite.”

Mos anëtarësimi në OKB nuk është i ndërlidhur me sovranitetin e një vendi, thekson Peter Galbraith, ish ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kroaci. Sipas tij, problemet e tanishme të Kosovës si mungesa e zhvillimit ekonomik, varfëria dhe marrëdhëniet armiqësore me Serbinë, nuk janë prova kryesore e suksesit të pavarësisë së saj:

“Prova, sa i përket pavarësisë, qëndron tek pyetja a është Kosova në gjendje më të mirë tani si vend i pavarur apo kur ishte pjesë e Serbisë ose Jugosllavisë së vjetër? Dhe përgjigja është e qartë, ajo është më mirë sot. Të fitosh pavarësinë nuk do të thotë se menjëherë do të bëhesh një vend si Norvegjia, por është një hap dhe gjërat e tjera duhet të trajtohen nga vetë njerëzit e Kosovës”.

Jo të gjitha vendet të cilat fitojnë pavarësinë pas përpjekjeve të gjata dhe të dhunshme, janë të susksesshme si vende të pavarura, thanë analistët në diskutimin e mbajtur të Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Sipas tyre, Kosova ishte e suksseshme në përpjekjet për t’u bërë një vend sovran dhe i pavarur, por sovraniteti i saj ende nuk është i kompletuar. Ajo ende mbështetet tek prania e Natos, ndihma fuqive ndërkombëtare dhe ndeshet me sfida të mëdha ekonomike dhe politike. Në këtë diskutim u fol edhe për lëvizje të tjera për pavarësi në zona të tjera të botës./VOA

 

 Fraksion.com