Kryeministri i Kosovës shkarkon ministrin e Pushtetit Lokal
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi të martën ministrin e Pushtetit Lokal në qeverinë e tij, Ivan Teodosijeviç, për shkak të gjuhës së urrejtjes, të shpalosur gjatë një manifestimi me rastin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave serbe.
Ministri Teodosijeviç, tha në një fjalim në komunën e Zveçanit në veriun e Kosovës se shkas “për agresionin u bë e ashtuquajtura katastrofa humanitare në hapësirat e Kosovës, trillimi i Reçakut, ndërsa janë pikërisht terroristët shqiptarë që i shpikën të gjitha, që kryen krime në Kosovë, para dhe pas agresionit të NATO-s”.
Në një njoftim për vendimin për shkarkimin e tij, kryeministri Haradinaj shkroi se “është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot koleg i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla”.
Ditë më parë, kryeministri Haradinaj, shkarkoi zëvendësministren e drejtësisë,Vesna Mikiç, për shkak të “gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave të papranueshme”.
Ajo shkroi më 25 mars në rrjetet sociale se ”para njëzet vitesh aleanca e NATO-s ka ushtruar gjenocid të planifikuar ndaj një shteti sovran që për dekada ka luftuar kundër terrorizmit shqiptar brenda kufijve të vet”.
Njëzet vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër Serbisë, për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Fraksion.com