Garë e ngushtë për pozitën e kryeministrit në Izrael
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka mbetur mbrapa kundërshtarit të tij kryesor në disa sondazhe, që janë mbajtur pak para zgjedhjeve në Izrael, ndonëse ai ende ka mundësi për të formuar Qeverinë që t’i mundësonte një mandat të pestë në pushtet.
Netanyahu, që ka dominuar politikën e Izraelit për gjenerata të tëra është duke luftuar për mbijetesë politike kundër ish-gjeneralit, Benny Gantz.
Megjithatë, rezultati përfundimtar do të dihet vetëm në ditën e zgjedhjeve, përkatësisht në ditën e martë.
Deri më tani, asnjë parti nuk ka fituar një shumicë në Parlamentin me 120 ulëse, që nënkupton se do të kalojnë ditë e madje javë derisa të përfundojnë negociatat për koalicion.
Agjencia e lajmeve Reuters, ka përmendur se paditë penale të mund të ngriten kundër Netanyahut, i cili ka mohuar çdo keqbërje në tri raste të supozuara për ryshfet dhe mashtrime tjera, mund t’i zbehin të ardhmen e tij politike.
Në sondazhin e fundit të realizuar të premten, Partia e qendrës, e Kaltër dhe Blu, në krye me Gantz, pritet të fitojë 30 ulëse në Parlament, derisa partia Likud e Netanyahut 26 ulëse, ka raportuar e përditshmja, Yedioth Ahronoth.
Ky sondazh po ashtu ka projektuar se partitë në bllokun e Netanyahut pritet të fitojnë rreth 63 ulëse, që përbën një shumicë të thjeshtë.
Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, do të konsultohet me liderët e secilës parti që përfaqësohet në Parlament dhe do të vendosë se kush beson që ka mundësi më së shumti për të formuar koalicionin. Të nominuarit më pas kanë 42 ditë për të formuar Qeverinë, para se presidenti t’i kalojë rendin politikanit tjetër.
Në ditët e fundit të fushatës, Netanyahu ka kërkuar vëmendjen e mbështetësve të tij, duke u thënë që të mos kenë vetëbesim të tepruar.
“Është një garë e ngushtë në mes të djathtës dhe të majtës”, i ka thënë ai Radio Izraelit.
Gantz në anën tjetër u ka thënë përkrahësve të tij se ata janë “disa metra larg fitores”.
Hija e korrupsionit
Netanyahu ka luftuar në fushatë nën hijen e njoftimit të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm i Izraelit, në muajin shkurt se synon ta padisë atë.
Pavarësisht kësaj, ndaj tij ende nuk është ngritur ndonëse akuzë dhe pritet që të mbahet një seancë paraprake në të cilën Netanyahu mund të sfidojë të gjeturat.
Nëse paditet, ai nuk ka obligim që të dorëhiqet, mirëpo do t’i duhej që partnerët e koalicionit t’i qëndrojnë mbrapa për të mënjanuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Kundërshtarët e kryeministrit aktual kanë bërë fushatë të ashpër, bazuar në dyshimet për korrupsion, duke mbajtur mbishkrime të ndryshme kundër kandidaturës së tij.
Strategjia e fushatës
Meqë bisedimet për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve janë bllokuar më 2014, sulmet personale kanë dominuar në fushatën zgjedhore për dalim nga çështjet e luftës dhe paqes.
Netanyahu e ka cilësuar ish-shefin ushtarak, Gantz, si majtist të dobët, i cili do të rrezikonte sigurinë e Izraelit, duke u dhënë territore palestinezëve.
Gantz në anën tjetër ka treguar përkushtim për paqe, ndonëse nuk ka treguar hollësi nëse do të mbështesë synimin e palestinezëve për shtetësi në territoret e pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967.
Netanayhu po ashtu ka përmendur lidhjet e tij të ngushta me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili ka përmbysur politikën amerikane disa dekadëshe duke bartur ambasadën amerikane në Jerusalem, dhe duke njohur këtë të fundit si kryeqytet të Izraelit.
Netanyahu e ka vizituar Trumpin në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar. Në takim, Trump ka njoftuar se SHBA-ja njeh sovranitetin e Izraelit në Lartësitë Golan, të pushtuara po ashtu më 1967.
Në Jerusalem, Hezi Levy, 60-vjeçar, një drejtues taksish ka thënë se ai përkrah Netanyahun.
“Gjëja më e rëndësishme në botë që e majta të mos ketë fuqi”, ka thënë ai.
Mirëpo votuesit tjerë kanë përmendur skandalet e fundit.
“Fokusi është në korrupsionin që po ndodh në politikë”, ka thënë Ayelet Noff, menaxhere për marrëdhënie me publikun nga Tel Avivi, e cila ka treguar se mbështet kandidatin Gantz, shkruan REL.
Fraksion.com