AktualitetOp-EdTë fundit

110 vjet; Gazeta “Dielli”, organi më i vjetër mediatik në gjuhën shqipe

Gazeta Dielli, organi më i vjetër mediatik në gjuhën shqipe në ekzistencë të pandërprerë mbushi 110 vjet. Faqet e gazetës që vazhdon të informojë komunitetin shqiptaro-amerikan kanë qenë një pasqyrë e furtunave historike nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar, por edhe një forum për opinione e për debatin e hapur pubkik. Në këtë përvjetor, Federata Panshqiptare Vatra mblodhi në Nju Jork studiues, historianë e aktivistë në një konferencë shkencore të cilën e ndoqi kolegia Ardita Dunellari.

Aktiviteti u organizua për të festuar ekzistencën e organit mediatik më të vjetër të shqiptarëve në ekzistencë të pandërprerë, për të reflektuar mbi rolin që ka luajtur ky publikim në pasqyrimin e sfidave të kohërave dhe problemeve të kombit si dhe në mobilizimin e shqiptarëve në përgjigje të tyre, por edhe si një thirrje për të garantuar vazhdimësinë e këtij botimi që është shndërruar në një institucion kulturor jo vetëm të shqiptarëve të Amerikës, por për mbarë kombin.

Përmes ligjëratave nga studiues e kujtimeve nga vetë aktivistë të komunitetit e pjesëtarë aktualë e të mëparshëm të stafit të gazetës, aktiviteti përcolli një udhëtim historik mbi ngjarjet madhore me të cilat janë përballur shqiptarët gjatë kësaj periudhe mbi 100 vjeçare dhe rolin që ka luajtur Dielli për të pasqyruar momentet më kritike, por edhe për t’i bërë jehonë ndërgjegjes kombëtare dhe për të nxitur mobilizim të shqiptarëve në përgjigje të nevojave në trojet e tyre.

Kryetari i Federatës Panshqiptare Vatra, Dritan Mishto e quan organizatën që ai drejton, si dhe gazetën e saj, Diellin, xhevahirë jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, por të mbarë kombit shqiptar, një trashëgimi kombëtare që vazhdon të ketë edhe sot një rol të rëndësishëm për të luajtur:

“Sfidat që janë trajtuar nga gazeta Dielli që para 100 vjetësh, në një mënyrë më të formatuara me standardet euroatlantike, në një farë mënyre janë sërish sfida për shqiptarët. Ndaj mendoj që gazeta Dielli, si një autoritet moral i padiskutueshëm, si një shembull i asaj që për 110 vjet ka lënë pas të gjitha simotrat e tjera edhe të kombeve të tjera do të jetë sërish në ballë për të mbrojtur të vërtetën, por edhe për të ofruar alternativa, zgjidhje, platforma kudo që është e nevojshme për shqiptarët,”thotë zoti Mishto.

Redaktori i gazetës, zoti Dalip Greca thotë se interesat kombëtare do të mbeten ndër përparësitë kryesore të gazetës, ndërkohë që Dielli tani shikon drejt të ardhmes me ambicje të reja:

“Kombi ynë nuk i ka zgjidhur problemet e veta kombëtare. Ne vazhdojmë të përballemi me problemin e humbjes së territorit. Lexuesi i Diellit, veçanërisht ai konservatori, i vjetri e do që ta trajtosh këtë problem. Ne e ndjejmë detyrim dhe nuk do të heqim dorë nga këto lloj problemesh, pra do të kombinojmë të ardhmen – brezin e ri ta tërheqim në gazetë, por nuk do të heqim dorë nga historia jonë kombëtare,” thotë zoti Greca.

Për të tërhequr një numër më të madh lexuesish, por me një vëmendje të shtuar tek ata shqiptaro-amerikanë që e kanë vështirë të kuptojnë artikujt në shqip, gazeta ka shtuar shkrimet në anglisht.

Ish-gazetarja e Zërit të Amerikës, Rafaela Prifti, redaktore e seksionit anglisht të gazetës, thotë se që në fillimet e saj gazeta është konceptuar si një organ mediatik në dy gjuhë:

“Është në konceptimin e Diellit që t’i ketë të dyja gjuhët… Por mendoj se ajo që është një prurje e re janë shkrimet origjinale. Unë unë shkruaj për evenimentet, aktivitetet, pra ka shkrime origjinale në anglisht. Unë mendoj se është një mënyrë për të thithur brezin e ri, por edhe për t’i bërë jehonë komunitetit tonë,” thotë zonja Prifti.

Aktiviteti ofroi një analizë të rolit të Diellit dhe Vatrës nga kënde të ndryshme historike.

Profesor Nicholas Pano foli për rëndësinë e Diellit, që së bashku me hapjen e kishës ortodokse të shqiptarëve dhe të Federatës Panshqiptare Vatra, e shndërruan mërgatën e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, në qendrën më të rëndësishme të shqiptarizmit jashtë trojeve kombëtare për dekadat e ngarkuara të fillimi të shekullit të XX.

Studiuesi Grant Harris, shef i divizionit evropian në Bibliotekën e Kongresit amerikan përmes krahasimeve me botimet e kohës, foli për një nivel të lartë sofistikimi e mobilizimi të komunitetit shqiptar të dëshmuar përmes botimeve si Dielli e publikimeve të tjera të diasporës shqiptare në Evropë, që u mungonte shumë komuniteteve të tjera etnike në emigracion.

Drejtori i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj, theksoi nevojën që organe mediatike të diasporës në Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të kontribuojnë në çështjen shqiptare, duke ofruar lajme e informacione të bazuara tek faktet, duke pasqyruar një larmi zërash e opiniones si forum për debatin publik. Zhvillimet e fundit politike në trojet shqiptare, u shpreh zoti Biberaj, dëshmojnë se duhet ende shumë punë për të forcuar institucionet demokratike dhe për të konsoliduar shtetin ligjor dhe se kërkohet një angazhim më i madh i diasporës për ta mbështetur këtë proces.

Konferenca shërbeu për të kujtuar kontributin e madh që ka dhënë komuniteti shqiptaro-amerikan përmes dekadave për çështjen shqiptare, pasqyruar në faqet e Diellit gjatë 110 vjetëve të fundit. Për rëndësinë historike, arkivore e kulturore, tani anëtarët e Vatrës e aktivistë e dashamirës po bëjnë thirrje për ruajtjen e arkivës e dixhitalimin e gjithë koleksionit të gazetës. Por mbi të gjitha ata theksojnë se puna e Diellit dhe e komunitetit mbetet ende aktuale sepse shumë sfida kombëtare të shqiptarëve ende mbeten të hapura. Për Zërin e Amerikës, Ardita Dunellari, New York./VOA

 

Fraksion.com