Korrupsioni dhe zgjedhjet në Ukrainë
Lufta kundër korrupsionit është mes çështjeve që ukrainasit përmendin si një ndër përparësitë kryesore për presidentin e ardhshëm të vendit. Presidenti i tanishëm Petro Poroshenko dhe rivali i tij i ri Volodimir Zelenskiy përballen me një raund përfundimtar zgjedhjesh më 21 prill.
Ekzistojnë shqetësime në rritje se përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin po zbehen, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë në muajin shkurt, kur ajo shfuqizoi një ligj që ndëshkonte pasurimin e zyrtarëve.
Siç njofton nga Kievi Henry Ridgwell i Zërit të Amerikës, ambasadorja e SHBA në Ukrainë kohët e fundit i kërkoi qeverisë që ta trajtonte seriozisht këtë çështje.
Për të parë korrupsionin në Ukrainë, mjafton të bësh një shëtitje me makinë. Do të shikosh gropat e pariparuara të mbetura nga dimri, që siç thonë qytetarët, janë vetëm një pjesë e vogël e skemave që u nxijnë jetën ukrainasve.
Por është korrupsioni i nivelit të lartë që përbën rrezikun më të madh, thotë drejtori ekzekutiv i Transparency International Ukraine, Yaroslav Yurchyshyn.
“Skemat që tashmë ekzistojnë në sferën e sigurisë kombëtare ose në sferën energjetike, janë vërtet të rrezikshme jo vetëm për efektivitetin, por edhe për ekzistencën e Ukrainës, sepse ne jemi tani një vend në luftë. Dhe ky korrupsion ndihmon armikun tonë të na bëjë më të dobët”.
Fushata e Petro Poroshenkos për të fituar një mandat të dytë presidencial ka hasur në akuza për korrupsion lidhur me tenderat në ushtri. Ai ka mohuar se është i përfshirë:
“Kur shohim kandidatë të tjerë në fushatën presidenciale, ne kemi pyetje për të gjithë, për lidhjet e tyre të ngushta me skema të ndryshme korrupsioni”.
Ukrainasit po reagojnë. BIHUS info është një grup gazetarësh dhe avokatësh që hetojnë korrupsionin dhe rezultatet e tyre publikohen në YouTube. Ky është një hetim i kohëve të fundit për financimin e partisë Atdheu, të udhëhequr nga Yulia Tymoshenko.
“Tre banorë të këtyre dy fshatrave ishin midis kontribuesve më të mëdhenj të partisë në vitin 2018, duke dhuruar më shumë se 148,000 dollarë,” thotë organizata.
Skema të tilla janë tipike, përdorin ndërmjetësit për të fshehur transaksionet financiare, thotë themeluesi i grupit, Denys Bihus:
“Merret në punë dikush që është i varfër dhe ai ose ajo harton dokumente financiare për një sasi marramendëse parash. Pastaj ata ia kalojnë dikujt tjetër të drejtën për t’i nënshkruar dokumentet”.
Partia Atdheu i mohon akuzat për korrupsion.
Zoti Bihus thotë se grupi i tij ia kalon dëshmitë e gjetura agjencive të zbatimit të ligjit.
“Por problemi është se, megjithëse ne mund të fillojmë një çështje, ne nuk mund t’i detyrojmë ata që ta hetojnë atë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në ato raste ku përfshihen politikanët kryesorë.”
Dekada të tëra korrupsioni kanë lënë shenjën e tyre në horizontin e Kievit. Ndërtimi i urës Podilsko-Voskresenskyi filloi 26 vjet më parë. Por puna është ndalur vazhdimisht për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe ura ka mbatur e papërfunduar.
Aktivistët thonë se lufta kundër korrupsionit në sistem nuk është e mjaftueshme, sepse në Ukrainë korrupsioni është ngritur në sistem.
Fraksion.com