AktualitetRajoniTë fundit

KFOR-i: 4 ushtarakët shqiptarë në Mitrovicë nuk provokojnë

Prania e 4 ushtarakëve shqiptarë në kuadër të KFOR-it, në veri të Kosovës, alarmoi të enjten “Listën Serbe”.

Forca shumëkombëshe e KFOR-it në Kosovë, përmes një kumtese për media, ka konfirmuar se gjendja në veri dhe në gjithë Kosovën, është e qetë dhe nuk ka asnjë shenjë apo dëshmi për trazira apo dhunë të mundshme.

“Pavarësisht nga thirrjet e shumta për mospërhapje të spekulimeve të papërgjegjshme, për fat të keq thashethemet e fabrikuara vazhdojnë të qarkullojnë nëpër media dhe shkaktojnë shqetësime të pabaza tek popullata. KFOR-i konfirmon se gjendja në veri, si dhe në mbarë Kosovën, është absolutisht nën kontroll dhe nuk ka asnjë shenjë apo dëshmi për trazira apo dhunë të mundshme”, thuhet në deklaratë.

Gjatë ditës, Lista Serbe kishte reaguar për shkak të pranisë së katër ushtarëve të Shqipërisë në kuadër të KFOR-it në veri të Kosovës.

Por, KFOR-i ka theksuar se nuk ka asnjë arsye për shqetësim dhe frikë.

“Ky nuk është provokim, por është një aktivitet i përbashkët i NATO-së, dhe prania e 4 oficerëve shqiptarë nuk duhet ta habisë askënd pasi që Shqipëria është anëtare e NATO-së tani e 10 vjet. Për më tepër, duhet të dihet se Shqipëria gjithashtu kontribuon në misionin e KFOR-it”, theksohet në kumtesë.

Forca e KFOR-it ka siguruar të gjithë në Kosovëse vazhdon që në mënyrë të paanshme t’i përkushtohet mandatit për ta mbrojtur tërë popullin në Kosovë në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës të ndihen të sigurt.

Fraksion.com