AktualitetBota+Të fundit

Hetuesit: Raporti i Mueller, gjetje të dëmshme për presidentin

Disa nga pjesëmarrësit në hetimin gati dyvjeçar të fushatës presidenciale të vitit 2016 të presidentit amerikan, Donald Trump, thonë se gjetjet në një raport të paraqitur nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller, janë më të dëmshme për presidentin, sesa që është sugjeruar nga prokurori i përgjithshëm, William Barr, raportuan të mërkurën vonë New York Times dhe Washington Post.

Prokurori Barr publikoi më 24 mars një përmbledhjen prej katër faqesh të raportit të zotit Mueller, mbi hetimet e pretendimeve se fushata e presidentit Trump bashkëpunoi me Rusinë për të ndikuar në favor të presidentit Trump. Zoti Barr tha se ekipi i zotit Mueller, nuk gjeti prova se presidenti Trump ose ndonjë person i lidhur me fushatën e tij komplotonte ose bashkërendohej me Rusinë.

Sipas zotit Barr, prokurori i Posaçëm Mueller nuk nxjerr përfundime nëse presidenti Trump ka ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshme në hetime dhe se nuk ka prova të mjaftueshme për ta akuzuar atë për pengim të drejtësisë.

Por, New York Times dhe Washington Post, thonë se hetuesit e zotit Mueller u kanë thënë bashkëpunëtorëve se prokurori Barr nuk arriti të paraqiste në mënyrë të duhur gjetjet e hetimit të tyre.

Washington Post thotë se anëtarët e ekipit të zotit Mueller besojnë se provat e mbledhura për pengimin ishin “alarmuese dhe të rëndësishme”.

New York Times thotë në raportin e tij se hetuesit janë të shqetësuar se për shkak që përmbledhja e zotit Barr ishte “tregimi i parë” mbi gjetjet e ekipit, pikëpamjet e opinionit do të orientohen para se të publikohet raporti përfundimtar.

Prokurori i Përgjithshëm tha se do të bëjë publik raportin pasi të redaktohet materiali i klasifikuar si sekret dhe dëshmitë në mirëbesim që ka dëgjuar një juri e madhe dhe hetuesit e grupit të punës të drejtuar nga zoti Mueller. Por, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët, votoi të mërkurën për të autorizuar kryetarin Jerry Nadler që të marrë kopjen e plotë të raportit përfundimtar të zoti Mueller dhe dëshmitë mbështetëse të tij.

 

Fraksion.com