Zgjedhjet lokale edhe në kushtet e bojkotit të PD-LSI; Kuvendi urdhëron KQZ-në
Shumica parlamentare është e vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në datën 30 qershor, pavarësisht nëse Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të marrin pjesë. Nuk bëhet fjalë më për deklarata politike, por për një dokument të Kuvendit, i cili urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të marrë masat e nevojshme, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, në kushtet e bojkotit të partive opozitare.
Në rezolutën për vlerësimin e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin që shkoi, Komisioni i Ligjeve, e ka ngarkuar këtë institucion me 13 detyra, të cilat lidhen me administrimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Detyra e dytë për KQZ në dokumentin që do të miratohet përfundimisht nga parlamenti, parashikon “marrjen e masave për garantimin e funksionimin e rregullt të administratës zgjedhore, duke konsideruar që mund të ndodhet në kushtet e braktisjes së sistemit nga partitë kryesore të opozitës parlamentare”.
Më konkretisht, KQZ duhet të marrë masat për të mundësuar kryerjen e të gjitha detyrimeve të PD-LSI në raport me zgjedhjet, duke nisur me zëvendësimin e komisionerëve. PD-LSI nuk dorëzuan listën me emrat e komisionerëve në KQZ brenda afatit 18 mars, duke sinjalizuar kësisoj mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, opozita ka edhe një shans të dytë, për propozimin e komisionerëve, që është data 31 maji. Gjatë kësaj kohe, KQZ mund të emërojë kryesisht komisionerët në vend të përfaqësuesve politikë të PD-LSI, por ata qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike, kusht që zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve. Gjithsesi, shumica është e gatshme që të hyjë në zgjedhje, pavarësisht vendimit të PD-LSI. Ky vullnet konfirmohet edhe nga urdhri për KQZ. Tre detyra të tjera që duhet të realizohen nga KQZ konsistojnë në kontrollin e shpenzimeve dhe financimeve të partive politike, brenda dhe jashtë vendit, duke nisur nga dosja e lobimit të PD në SHBA me para të dyshimta dhe të padeklaruara në KQZ, sikundër e parashikon ligji. Kuvendi i kërkon KQZ që të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet përgjegjëse që kontrollojnë pastrimin e parave dhe financimet e kundërligjshme.
Nuk janë realizuar detyrat e mëparshme
Kuvendi konstaton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për shkaqe të ndryshme, nuk ka mundur të realizojë detyrat që i janë lënë për vitin 2018. “Gjatë vitit 2018 janë konstatuar probleme në lidhje me plotësimin e kërkesave dhe detyrave të lëna nga Kuvendi, me rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2018 e që përfshiheshin në fushën e veprimtarisë dhe kompetencën e KQZ-së, për shkak të bllokimit të procesit të miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, për shkak të mungesës së vullnetit të anëtarëve të caktuar të KQZ, apo për shkak të mungesës së bashkëpunimit të drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile me Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për shkak të bojkotit të deklaruar nga subjekte politike që kanë qenë historikisht subjekte zgjedhore, mund të vlerësohet se KQZ gjatë vitit 2019 mund të ndodhet në situata të ngjashme me ato në të cilat u vu gjatë periudhës parazgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin e vitit 2017”, thuhet në rezolutë.
Zgjedhjet
Shumica në Kuvend urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të marrë masat e nevojshme, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, në kushtet e bojkotit të partive opozitare.
Financimet
Tre detyra të tjera që duhet të realizohen nga KQZ konsistojnë në kontrollin e shpenzimeve dhe financimeve të partive politike, brenda dhe jashtë vendit, duke nisur nga dosja e lobimit të PD në SHBA me para të dyshimta dhe të padeklaruara në KQZ./raport.tv
Fraksion.com