Kryeministrja May synon të arrijë ujdi me opozitën për Brexit-in
Kryeministrja britanike, Theresa May, do të takojë udhëheqësin e opozitës, Jeremy Corbin në përpjekje për të gjetur zgjidhje pas bllokimit të procesit të Brexit-it.
Kryeministrja May tha se shpreson se bashkë me udhëheqësin e laburistëve, Corbin, do të dalin me një version të modifikuar të marrëveshjes së Brexit-it, që do të mund të gjente mbështetjen e deputetëve britanikë.
Ndërkohë, një grup ndërpartiak i ligjëvënsve do të përpiqet të përgatisë një legjislacion që do të ndalonte daljen e Britanisë nga BE-ja pa një marrëveshje.
Zonja May njoftoi planin e saj për të takuar Corbyn si dhe synimin e saj për t’i kërkuar BE-së një zgjatje të afatit të Brexit, pas më shumë se shtatë orë bisedimesh me kabinetin e saj të martën.
Britania e Madhe duhej të largohej nga BE-ja me 29 mars, mirëpo kryeministrja May u pajtua për një zgjatje të shkurtë të afatit pasi deputetët nuk miratuan marrëveshjen e daljes të cilën ajo e kishte arritur me Bashkimin Evropian.
Britania tani ka afat deri më 12 prill që të përgatisë një marrëveshje te re më BE-në ose do të detyrohet të largohet nga blloku pa një marrëveshje.
Kryeministrja May tha se dëshiron që bashkë me udhëheqësin e opozitës të pajtohen për një plan të ri të cilin do ta dërgonte për votim në parlament para datës 10 prill.
Fraksion.com