Vuçiq: Veton Surroi është intelektual par excellence
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vazhduar avazin e tij për t’i komentuar politikanët shqiptarë. Ai në shumë raste gjatë paraqitjeve publike atje tenton t’i impresionojë serbë me njohuritë që ka për Kosovën duke folur për LDK’në, Kadri Veselin etj. Këtë radhë ka përmendur Veton Surroin.
Ish- lideri i Partisë Reformiste Ora dhe gazetari i njohur Veton Surroi ka qëndruar ditë më parë në një aktivitet në Beograd i ftuar nga “Forumi për marrëdhënie ndëretnike” që drejtohet nga Dusan Janjic ku ka folur rreth temës “Paradigma e re për Kosovën dhe Serbinë’.
Surroi atje ka dhënë një intervistë ku ka përmendur më shumë çështjen e personave të pagjetur.
“Ky është një problem i madh. Nëse keni pasur luftë dhe tani keni njerëz të pagjetur, nuk jmund t’i lëni nën tepih gjëra të tilla të rënda dhe të thoni po i harrojmë këto e po shkojmë tutje. Ne kemi 1600 persona të pagjetur, shqiptarë, serbë, romë, keni njerëz që po i kërkojnë më të afërmit e tyre dhe kjo është pjesë një psikoze kolektive. Duhet të shohim se kush janë këta njerëz, pse dhe si janë vrarë, ku janë varrosur, pse ende llogariten si të pagjetur, kush po i fsheh ata. Shoqëritë që i fshehin personat e pagjetur duan t’i fshehin të këqijat që janë bërë, e kjo e keqe ende jeton në shoqëritë tona” kishte thënë Surroi.
Prania në Beograd e Surroit i ka rënë në sy edhe Presidentit të Serbisë i cili në një emision televiziv e ka quajtur intelektual par excellence, duke thënë se tani kosovarët nuk pranojnë asgjë më pak se njohjen e pavarësisë nga Serbia./Express
Fraksion.com