AktualitetRajoniTë fundit

Tsipras, kryeministri i parë grek që viziton Maqedoninë e Veriut (Video)

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras ka mbërritur vetëm pak çaste më parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për të realizuar vizitën e parë të një kryeministri grek, që pas nënshkrimit të “Marrëveshjes së Prespës”.

Tsipras është pritur nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, si dhe nga ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Kryeministri grek Tsipras do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, duke u bërë kështu kryeministri i parë i Greqisë që viziton vendin, me të cilin ishin mbërthyer në një ngërç disadekadësh për mospajtimin në lidhje me emrin.

Kryeministri grek pritet të zhvillojë bisedime me kryeministrin Zoran Zaev. Ndërsa pritja zyrtare e tij do të zhvillohet me nderime shtetërore dhe ushtarake, përpara godinës së Qeverisë.

Pas bisedimeve Zaev-Tsipras dhe takimit ndërqeveritar, dy kryeministrat do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri grek takojë edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

Pasditen e kësaj të marte do të mbahet edhe një forum biznesi, ku do të flasin dy kryeministrat. Në delegacionin shoqërues të Tsiprasit në Shkup, krahas ministrave ka edhe përfaqësues biznesi./tch

 

Fraksion.com