Refuzohen alternativat e marrëveshjes për Brexit
Ligjvënësit britanikë votuan kundër katër mocioneve mbi alternativat e mundshme të marrëveshjes për Brexit, të negociuar nga kryeministrja britanike, Theresa May, dhe Bashkimi Evropian.
Në votim ishin mocioni për të mbajtur Britaninë në bashkimin doganor me BE-në, mocioni për qëndrimin e Britanisë në tregun e BE-së për mallra dhe shërbime, mocioni që kërkonte hedhjen në referendum publik të çdo marrëveshjeje që Britania arrin me BE-në dhe mocioni për anulim të Brexit-it.
May tani do të mbajë një mbledhje me kabinetin për të vendosur nëse do ta nxjerrë sërish në Parlament marrëveshjen e saj për Brexit.
Britania e Madhe, deri më 12 prill, duhet të vendosë nëse do të largohet nga BE-ja pa marrëveshje, ose nëse do të kërkojë zgjatje të afatit nga blloku.
Marrëveshja e Mayt për Brexit, apo daljen e Britanisë nga BE-ja, është refuzuar tri herë nga deputetët britanikë.
Kundërshtimet kanë pasur kryesisht të bëjnë me çështjen e kufirit të Irlandës, pas Brexit-it.
Si rezultat i dështimit të marrëveshjes së saj në Parlament, May është detyruar të kërkojë nga BE-ja të shtyjë datën e Brexit-it, që fillimisht ka qenë e caktuar për 29 mars.
Në ndërkohë, Parlamenti ka marrë kontrollin e procesit nga Qeveria, në mënyrë që të mbajë një seri votimesh për gjetjen e një alternative për marrëveshjen e Mayt.
Fraksion.com