AktualitetPolitikëTë fundit

Ramës i pret fjalën hoxha i Librazhdit sa përmend opozitën; Zbulon domethënien

Kryeministri Edi Rama ka qenë dhe në Librazhd sot në kuadër të turit “Bashkia që duam” ku ka folur për investimet e bëra në këtë rreth. Sapo ka nisur të flasë për opozitën ka nisur edhe lutja e mesditës, ose thirrja e zërit nga hoxha në xhaminë e qytetit.

Rama e ka parë këtë si mesazh që s’duhet të flasë për opozitën, megjithatë nuk ka ndalur akuzat e tij ndaj PD dhe LSI.

“Faleminderit e mirënjohje për këtë mikpritje këtu në Librazhd që është e zakonshme. Këtu në Librazhd ia kemi dalë të krijojmë një lidhje shumë të ngushtë me gjithë komunitetin dhe kemi bërë të mundura gjëra që dukeshin të pamundura.
Më kujtohet kur erdhëm këtu për të kërkuar mbështetjen tuaj për Kastriotin dhe këtu ishte një gropë, ndërsa sot është sheshi i një qyteti që po ndryshon çdo ditë, po investohet. Ku siç e tha dhe Taulanti janë çelur hapësira të reja prodhimi. Një qytet që është bërë gravitet i një ndryshimi që po shtrihet në të gjitha njësitë administrative.

Në këtë bashki kemi pasur rezultate shembullore. Këtu nuk diskutohet rezultati por sa shumë akoma ka për të bërë. nuk diskutohet as fakti që të gjitha ato që duhen bërë mund ti bëjë vetëm PS, mund ti bëjë vetëm skuadra jonë e cila ka njerëzit e duhur me programin e duhur dhe që vazhdon punën në drejtimin e duhur. ndërkohë që ne përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe sigurisht kemi bërë dhe gabime dhe gabimet janë të pashmangshme kur përpiqesh të sjellësh ndryshim por na është dashur të përballemi me një boshllëk të madh të krijuar prej kohësh nga ata të cilët duhet të na sfidonin me programe. Ata të cilët akoma sot nuk e kanë kuptuar se pse humbin, ndaj do vazhdojnë do humbin.

Ata që sot përpiqen që humbjen e tyre ta shohin si fajin tonë dhe më e bukura është kur mendojnë se kanë gjetur rrugën për ta bindur këtë popull duke e bërë për budalla, duke i thënë që…pushim (këndon hoxha).
Mbase kjo ndërprerje ishte për të thënë që të themi ndonjë gjë më interesante se për opozitën. Sidoqoftë disa fjalë duhen thënë, se është për të vënë duart në kokë… Të rrokasin kokën natë për natë”, tha Rama.

 

Fraksion.com