AktualitetOp-EdTë fundit

Policia e Shtetit ka vend për ekselentët

Nga Sandër Lleshaj

 

Ju ftova vetëm për të qenë pjesë e këtij eventi, për t’ju treguar se Policia e Shtetit ka vend për ekselentët, se këto gjëra që patë janë për ekselentët dhe shpresoj që kjo do t’ju nxis më shumë për të menduar dhe për të vepruar në funksion të detyrës së re që sapo keni marrë.

Sot kemi një ngjarje, për mua shumë të rëndësishme, e cila vjen në takim me prioritetin bazë që dhe unë kam si ministër i Brendshëm në detyrën që kam marrë, e cila për t’u lidhur me një fjalë, për tu përshkruar me një fjalë është: modernizimi. Besoj që modernizimi është motoja kryesore, e cila duhet të shtyjë përpara të gjithë veprimtarinë e Policisë së Shtetit. Pse modernizim? Sepse modernizimi në radhë të parë përmirëson cilësinë e punës së gjithë strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe veçanërisht atyre të Policisë së Shtetit.

Së dyti, sepse modernizimi na ndihmon për të rritur, për ta thelluar epërsinë ndaj krimit. Është fusha ku ne mund të dominojmë dhe do të dominojmë, për arsye se sado që të sofistikohet apo të ndërlikohet krimi i organizuar ai kurrë nuk mund ta arrijë atë nivel sofistikimi dhe modernizimi që kemi ne. Dhe ky është ai domein-i ku ne synojmë dhe do të arrijmë atë epërsinë që na çon drejt suksesit.

Një arsye tjetër përse modernizimi është kyç ka të bëjë me faktin që Policia e shtetit shqiptar, tashmë një fakt i ditur, është një polici e vogël në numër, por me detyra dhe probleme të mëdha për tu zgjidhur dhe modernizimi është ai element, ai drejtim pune, i cili na kompenson përmasat modeste të Policisë së Shtetit dhe bën që kjo polici edhe pse e vogël në numër, të jetë efeciente, të jetë efikase për shkak se do të jetë për ditë e më moderne.

Ky sistemi që sot finalizohet është një hap tjetër ose një moment tjetër modernizimi pas atij që sapo që kemi paraqitur para disa javësh, lidhur me futjen e tabletave në shërbim të Policisë Rrugore. Por sot bëhet fjalë për një projekt të madh, i cili është siç u përmend nga e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është realizuar falë një mbështetje shumë të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Besoj që të gjithë kemi dëgjuar që sa herë bëhet fjalë për sisteme, ato i marrim nga Amerika. Kemi ‘TIMS’, tani po mundohemi të bëjmë ‘PISCES’, tani është Sistemi i Menaxhimit të Çështjes; pra përgjithësisht SHBA kanë ndihmuar si në shumë fusha të tjera, por kryesisht në fushën e ndërtimit të sistemeve, që është në fakt krijimi i arkitekturës, ndërtimi i asaj gjëje e cila mundëson ecjen tonë përpara në të gjitha fushat.

Është një projekt i madh, disa miliona dollarë, 10 milionë është një shifër që e përmendi edhe zonja përfaqësuese e SHBA. Pra një projekt i madh i cili është realizuar kryesisht falë angazhimi Të ICITAP-IT, Steve Bennett, prandaj e përmenda veçanërisht në këtë punë të Policisë së Shtetit. Programi nuk ka qenë i fokusuar vetëm të hardwere dhe softwere, por është program që është i orientuar te njerëzit. Një numër i madh punonjësish të policisë i janë nënshtruar trajnimit, janë rreth 6100 konkretisht, ndërkohë që pjesa tjetër ka qenë pjesë teknike hardwere dhe softwere, etj. Pra bëhet fjalë për një projekt shumë të madh, po të marrim parasysh përmasën e Policisë shqiptare. Projekt i madh në volum, por i madh edhe në vlera, një vlerë e madhe e investuar.

Me vendosjen e këtij sistemi ne vendosim një standard të ri të rëndësishëm për punën e Policisë së Shtetit dhe kjo është e rëndësishme, përmes sistemit, ne standardizojmë procedurat operacionale të punës dhe ky është thelbi i përfitimit që ka Policia e Shtetit. Kjo na krijon mundësinë që çështjet të menaxhohen në mënyrë rigoroze, pra të mos kemi firo gjatë procesit, sepse menaxhimi manual, ose tradicional i çështjeve të shumta policore, të cilat rriten përditë, kërkon instrumente teknikë dhe ky sistem na ndihmon që rastet policore, pra çështjet e ndryshme të policisë, të menaxhohen në mënyrë rigoroze.

Gjithashtu na mundëson të kemi një tablo të plotë të realitetit. Pasja e një sistemi të integruar i cili përfshin në vetvete gjithçka ndodh, gjithçka adresohet e raportohet te policia, çdo çështje që nis, çdo procedurë që fillon, mundëson krijimin e një tabloje të plotë, pa njolla të panjohura dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ndërkohë që pasja e një tabloje të plotë na mundëson që ne mund të bëjmë atë gjë e cila mundësohet prej kësaj, që është analiza.

Sistemi i menaxhimit ndihmon shumë analizën. Ju e patë edhe në prezantimin e shkurtër që u bë tani, që sistemi krijon kujtesë, krijon arkiv, e lidh arkivin gjeografikisht me terrenin, pra çdo çështje lidhet me vendin ku ka ndodhur e kështu me radhë, krijohet mundësia që të bëhet analizë, e cila pastaj mundëson ri-orientimin e qasjeve të policisë, në drejtim të politikave të reja, për të adresuar krimin, fenomenet e tjera që lidhen me të, e kështu me radhë.

Por një aspekt tjetër, për mua më e rëndësishmi, është që ky sistem krijon bazën për një bashkëpunim të ri dhe më efektiv midis Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së shtetit shqiptar, është ky bashkëpunim, i cili do të garantojë suksesin e qasjes së përbashkët.

Sistemi i eviton tablotë paralele që shpesh herë krijohen midis Policisë dhe Prokurorisë, jo rrallë ndodh që Policia ka një pamje tjetër për realitetin dhe Prokuroria ka një pamje tjetër, të cilat jo domosdoshmërisht janë të njëjtat. Sistemi tashmë e mundëson këtë dhe gjithashtu sistemi mundëson faktin që të jenë shumë të vështira alibitë institucionale, sepse ndonjëherë institucionet duke qenë që punojnë më vetë, ndonjëherë tentojnë edhe të tregojnë njëra- tjetrën me gisht, kur është dështimi është i yti apo i imi, në fakt sistemi tashmë e vështirëson këtë, për të mos thënë e pamundëson krijimin e çfarëdolloj alibie institucionale dhe çfarëdo postimi të përgjegjësisë tek tjetri, për arsye se çështjet do të menaxhohen si të integruara dhe për këtë jam optimist, që në hapat e mëtejshëm midis Policisë dhe Prokurorisë do të ndërtohen protokolle shumë të qarta për menaxhimin e përbashkët të këtij sistemi, në mënyrë që dhe produktet që rezultojnë prej tij të jenë të përbashkëta, për të arritur atë objektiv të përgjithshëm që qytetarët e këtij vendi presin prej nesh: më shumë rend, më shumë qetësi, më shumë siguri, më shumë drejtësi, më shumë të drejta dhe liri të individit, e kështu me radhë. Sigurisht që ky sistem është një hap i rëndësishëm por nuk është një destinacion përfundimtar.

Është vetëm një hap në morinë e hapave e tjerë që ne do të ndërmarrim për ta thelluar më tej procesin e modernizimit të Policisë Shqiptare, proces i cili është e vetmja rrugë për të mundësuar suksesin e kësaj strukture kaq të rëndësishme për sigurinë qytetarëve dhe për sigurinë e vendit.

Nga ana tjetër ky sistem vjen në një moment shumë të rëndësishëm siç u përmend dhe nga përfaqësuesja e SHBA-së ne tashmë jemi në fazën që Reforma në Drejtësi, reforma e shumëpritur nga çdo qytetar shqiptar, nga partnerët tanë ndërkombëtar është tashmë në fazën vendimtare të saj, në fazën e finalizimit të një procesi të madh, një përpjekjeje të madhe mbarëkombëtare, në fazën kur kthim mbrapa nuk ka, kur garancia e suksesit tashmë është e qartë dhe ajo që pritet dhe kërkohet nga të gjithë institucionet është që secili institucion të japi kontributin e vet dhe ky sistem i vjen ekzaktësisht në mënyrë të sinkronizuar në ndihmë të këtij procesi të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi për arsye se një Reformë në Drejtësi, pa një polici funksionale moderne dhe efeciente dhe pa një prokurori po kështu moderne funksionale dhe eficente nuk mund të mundohet në këtë rast.

Unë mund të gjej rastin të shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin e të gjithë institucioneve të Ministrisë së Brendshme për të bërë maksimumin e tyre për të mbështetur më tej reformën në drejtësi, sepse përmes mbështetjes së reformës në drejtësi besojmë fort që mbështesim një ndër nga aspiratat më të larta dhe më të mëdha dhe Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme do të jenë të angazhuara në maksimum për suksesin e kësaj reforme, sukses i cili siç edhe ndoshta e përsërita është pritshmëria më e madhe e qytetarëve të këtij vendi, ndërkohë që procesi i modernizimit në Policinë e Shtetit do të vijojë me intensitet të lartë, pra sistemi është vetëm një, të tjerë do të pasojnë, do të ketë projekte shumë të rëndësishme në fushën e analizës së informacionit, që mbetet një sfidë e madhe analiza e një informacioni që përditë shtohet me ritëm ekspotencial dhe ne duhet t’i përgjigjemi me kapacitete të shtuara analize në mënyrë që të marrim ato produkte që i japin sistemit të analizës së informacionit, po kështu investime të rëndësishme do të bëhen në fushën e sistemeve që merren me monitorimin dhe menaxhimin e kufijve tanë, kufijtë mbetën përherë sfidë dhe një zonë brishtësie ku ne duhet të investojmë, vëmendje, energji, por edhe sisteme informacioni dhe menaxhimi ,në mënyrë që të sigurojmë sukses.

Fushë tjetër e rëndësishme mbetet fusha e monitorimit dhe e menaxhimit të trafikut rrugor në përgjithësi, kontrolli i territorit dhe sektorë të tjerë.

Në përfundim unë dua të falënderoj përzemërsisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë kontribut të jashtëzakonshëm që kanë bërë në mbështetje të Policisë shqiptare, të Prokurorisë së Shtetit shqiptar dhe të gjithë sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke i dhënë në dorë një instrument të jashtëzakonshëm dhe të panjohur më parë, i cili do të mundësojë pra, plotësimin me kualitet të lartë të misionit të secilit prej këtyre institucioneve dhe t’i ftoj që këtë proces të vijuar prej vitesh në Shqipëri, ta vazhdojnë më tej në interes të projekteve të tjera përmenda më parë ‘PISCES’ dhe projekte të tjera, të cilët ne jemi të gatshëm dhe të interesuar për t’i thëlluar në interes të sigurisë së qytetarëve shqiptarë, në interes të ardhmes euroatlantike të Shqipërisë, të integrimit të mëtejshëm të saj në familjen europiane dhe të të gjithë bashkëpunimit dy palësh, i cili do të vijojë rritje dhe intensifikim edhe në të ardhmen.

 

Fraksion.com